Bulliqi tregon se a duhet shtyer zgjedhjet

Prishtinë | 07 Sht 2021 | 18:12 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Podujevës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, i ftuar në “Frontal” në T7, ka komentuar deklaratën e kreut të Kuvendit Glauk Konjufca se po të pyetej ai, do t’i shtyente zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 17 tetor. Sipas Bulliqit, kjo ide “është mendim individual i z.Konjufca”.

I pyetur se a mendon se duhen shtyer zgjedhjet lokale, Bulliqi tha se IKSHPK duhet dhënë rekomandime lidhur me situatën dhe në konsultim me subjektet politike të merret vendimi.

“Unë mendoj që situiata pandemike nuk është e mirë në vend, se a duhet të shtyhen apo jo, duhet thënë fjalën e institucioneve përkatëse- IKSHPK jep rekomandimet se çfarë është gjendja, çfarëdo veprimi që merret konsultohen subjektet politike, e jo sikur ndodhi herën e kaluar kur z.Thaçi fare pa u konsultuar me subjektet politike, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve e bëri pezullimin e tyre dhe e kemi pas një rast aktiv në atë kohë, ka qenë marsi i vitit 2020. Mendoj që institucionet përkatësë e thojnë fjalën e tyre, në pajtueshmëri me subjektet politike, më pas presidentja e vendit mund ta marrë vendimin pozitiv ose negativ çarëdo ta vlerësojnë. Nëse po themi krejt kohën se shëndeti i qytetarëve është para së gjithash atëherë le të vendosin çfarë mendojnë”, tha Bulliqi në “Frontal”, transmeton Gazeta Express.

Ai u pyet edhe për deklaratat e dala në publik se VV po qëndron keq me sondazhe sa i përket zgjedhjeve lokale.

“Të gjitha sondazhet janë pozitive dhe flasin për fitore bindëse të VV-së edhe në këto zgjedhje lokale, këto mund të jenë informacione të individëve të caktuar. LVV asnjëherë nuk iu ka frikësuar zgjedhjeve, as tani besoj që nuk i frikësohet. Po synojmë të marrin numër të madh të komunave edhe në nivelin lokal”, u shpreh ai tutje.

Bulliqi gjithashtu foli edhe për situatën e rëndë me koronavirusin në vend, duke thënë se ditëve të fundit ka ulje të numrit të të infektuarve me këtë virus.

“Mendoj që situata pandemike është kjo që është gjithandej vendit, masat që janë liru sigurisht kanë prodhu një situatë të tillë. Ditëve të fundit po vërehet e ulje e numrit të të infektuarve, por numri i atyre që kanë fatalitet është i lartë. Mendoj që është momenti i dihur të punojmë shumë me i dal njerëzve në ndihmë…Kishim vlug të madh të bashkatdhetarëve tanë dhe masat e liruara, ahengjet, e hapën një rruge të këtij numri”, tha ai.

“Mbyllja po shkakton probleme ekonomike, hapja po shkakton rrezik”, shtoi tutje kryetari i Podujevës.

Të ngjashme