Bushati: Sovrani i Kosovës shembi modelin e vjetër dhe përqafoi shpresën

Prishtinë | 15 Shk 2021 | 13:40 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, i ka quajtur zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë fitore e së ardhmes.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se më shumë sesa një fitore e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, 14 Shkurti 2021, do të shënohet në historinë e Kosovës si dita kur sovrani me votë plebishitare shembi modelin e vjetër dhe përqafoi shpresën.

Bushati ka thënë se është fitorja e çdo qytetari që jeton në Kosovë dhe diasporë, që kontribuon përmes punës së ndershme për Kosovën shtet funksional, demokratik, si një dhe të pandarë.

“Është fitorja e çdo sipërmarrësi të ndershëm që beson tek puna, shpirti i garës, shteti zhvillimor, barazia në mundësi, përkundrejt kapitalizmit grabitqar që thellon pabarazinë, mpin shoqërinë e nxit braktisjen e vendit. Është fitorja e shoqërisë civile, medias së lirë dhe profesionistëve me integritet moral që besojnë tek vlerat e lirisë, humanizmit, qytetarisë, drejtësisë sociale, përballë gazetarisë rentiere e shpirtprishur në shërbim të pushtetit. Është fitorja e një modeli të ri politik që s’ka të bëjë me moshën, gjininë e prejardhjen, por që ndjen përgjegjësinë para njerëzve, duke demonstruar konsistencë në ide, përgjegjshmëri shtetërore e pathyeshmëri, duke mos u bërë palë me veset e politikës që gërryejnë idealin e jetës demokratike”, ka thënë ai.

Këto zgjedhje, Bushati i ka quajtur fitore të standardit dhe kulturës demokratike.

“Kosova, 13 vjet shtet, na dha mësime të vlefshme, edhe pse ne e kemi plot 109 vjet shtet. Në demokraci zgjedhjet janë garë vlerash dhe jo të fortësh. Partitë politike i nënshtrohen gjykimit të popullit. Fitoret e mëdha shoqërohen gjithnjë me pritshmëri dhe përgjegjësi të mëdha. Tanimë, Lëvizja Vetëvendosje, Albini dhe Vjosa janë përpara një përgjegjësie historike për ta drejtuar Kosovën me dinjitet, dashuri e përkushtim drejt sfidave të shtetkonsolidimit demokratik, mirëqenies sociale dhe partneritetit me botën demokratike. Sfida, që kërkojnë një konsensus të ripërtërirë politik e shoqëror. Ata kanë përgjegjësinë për të jetësuar besimin e qytetarëve të Kosovës duke sjellë një standard të ri qeverisës shumë të dëshiruar për gjeneratën e Kosovës Europiane”, ka shkruar Bushati.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme