Butel: Palët t’i shqyrtojnë të gjitha opsionet që çojnë drejt zgjidhjes përfundimtare

Prishtinë | 02 Mar 2020 | 07:21 | Nga Ekonomia Online

Kosova dhe Serbia duhet ta përcaktojnë përmbajtjen e një marrëveshjeje dhe të shqyrtojnë të gjitha opsionet që mund të çojnë drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare, ka thënë ambasadorja e Francës në Kosovë, Christine Butel.

Pavarësisht rolit në rritje të Shteteve të Bashkuara, sipas diplomates franceze, dialogu do të zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ku mbështetje do të ofrojë edhe Franca.

Duke iu përgjigjur kërkesës së partnerëve perëndimorë, kryeministri Kurti ka paralajmëruar heqjen e pjesërishme të taksës ndaj mallrave serbe, duke mos e përjashtuar as reciprocitetin në një fazë të mëvonshme nëse Serbia nuk i heq pengesat.

Por ambasadorja Butel thotë se, secila palë duhet të kujdeset që të mos ndërmarrë ndonjë masë tjetër që mund të rrezikojë rifillimin e dialogut.

“Të kërkosh vendosjen e masave të reciprocitetit përpara rifillimit të dialogut, do të thotë të krijosh një kusht të ri për rifillimin e dialogut, i cili nuk na duket të jetë një qasje e përshtatshme. Të dyja palët do të mund të diskutojnë masat e reciprocitetit në kuadër të dialogut, pasi të ketë rifilluar ai”, ka thënë ajo.

Në një intervistë dhënë gazetës me rastin e vizitës në Kompaninë KOHA, Butel ka folur për reformat e brendshme dhe për perspektivën evropiane të Kosovës.

Sipas saj, sfida e parë me të cilën përballet Kosova është konsolidimi i shtetit të së drejtës. Kjo, siç është shprehur ambasadorja, kërkon krijimin e një sistemi gjyqësor transparent, efikas dhe të pavarur.

Prioriteti i dytë, sipas ambasadores, duhet të jetë zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, e cila hyri në fuqi në prill të 2016-s. Butel ka theksuar se përmbushja e këtyre reformave është parakusht për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike me BE-në.

Sa i përket mungesës së vendimmarrjes për liberalizimin e vizave për Kosovën, sipas ambasadores, Franca, së bashku me disa shteteve të tjera anëtare, beson se nuk janë përmbushur ende kushtet që ndërlidhen me funksionimin e shtetit të së drejtës dhe me luftën kundër krimit të organizuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme