Butel për liberalizimin e vizave: Franca konsideron se në këtë fazë ende nuk janë plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara

Prishtinë | 04 Shk 2022 | 16:16 | Nga Ekonomia Online

Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel në një intervistë ekskluzive për Telegrafin ka folur për marrëdhëniet Kosovë-Francë, për çështjen e liberalizimit të vizave, vlerësimin e saj për punën e Qeverisë Kurti si dhe marrëveshjen finale Kosovë-Serbi.

Ambasadorja Butel në këtë intervistë speciale ka thënë se Franca është ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe vendi që ka ndihmuar qytetarët e saj në vitin 1999.

Ajo ka thënë se qeveria ka një  shumicë solide, që i mundëson të kryejë reformat që i duhen vendit.

Sa i përket çështjes se liberalizimit të vizave për Kosovën dhe hezitimit të shtetit të saj, ajo ka thënë se Franca konsideron, së bashku me disa shtete të tjera anëtare, se të gjitha kushtet e kërkuara nuk janë plotësuar ende krejtësisht në këtë fazë.

Prandaj, sipas saj mbeten të vëmendshëm ndaj zhvillimeve sa i përket sundimit të ligjit si dhe luftës kundër korrupsionit dhe aktiviteteve të krimit të organizuar në Kosovë.

Intervista e plotë:

 Zonja Butel, Franca është ndër vendet e para që ka njohur shtetin e Kosovës. Cilat janë sot relacionet ndërmjet këtyre dy vendeve?

Marie-Christine Butel: Franca është një ndër vendet e para, e dyta nëse më kujtohet mirë, që e ka njohur Kosovën, ashtu siç ishte një ndër vendet e para që ndërhyri në vitin 1999 për t’i ardhur në ndihmë popullit kosovar. Marrëdhëniet midis dy vendeve kanë vazhduar të jenë të shkëlqyera, siç dëshmohet nga vizita zyrtare në Paris e kryeministrit Albin Kurti, dhe takimi i tij në Pallatin Elysée me Presidentin Macron qershorin e kaluar, pastaj vizita e tij në nëntor 2021 me rastin e Forumit të Paqes në Paris. Do të shtoja se bashkëpunimi ynë dypalësh është aktiv në shumë sektorë. Do të flas për këtë më vonë.

Në Kosovë kemi pasur së fundi zgjedhje lokale dhe parlamentare, si i vlerësoni këto zhvillimet politike në vend?

Marie-Christine Butel: Nga këto dy zgjedhjet e fundit, madje edhe nga tre të fundit nëse kemi parasysh zgjedhjet parlamentare të tetorit 2019, do të veçoja vitalitetin e madh demokratik të Kosovës dhe pjekurinë e saj politike. Mobilizimi i votuesve dhe përqindjet e larta të pjesëmarrjes në këto tre palë zgjedhje janë për t’u potencuar.

Kosova ka mbajtur tri zgjedhje në 18 muaj, në kushte të vështira dy të fundit, për shkak të pandemisë. Vëzhguesit njëzëri vunë re organizimin e tyre të mirë, ndonëse përmirësimet janë ende të nevojshme dhe në këtë drejtim janë bërë rekomandime, veçanërisht nga misionet vëzhguese të Bashkimit Europian. Procesi  demokratik është kërkues dhe perfeksionimi është i vështirë për t’u arritur. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që autoritetet të përfitojnë nga fakti se zgjedhjet e ardhshme janë ende larg, për të zbatuar rekomandimet e vëzhguesve gjatë zgjedhjeve të fundit.

Që nga shkurti 2021, qeveria e re ka një shumicë solide. Kjo është mjaft e rëndësishme dhe përbën një potencial të fuqishëm për realizimin e reformave që i duhen Kosovës.

Si e vlerësoni qeverisjen e deritashme në Kosovë dhe ku duhet të fokusohet Kosova për një të ardhme europiane?

Marie-Christine Butel: Si ambasadore, nuk më takon mua të komentoj apo të vlerësoj punën e qeverisë. Edhe një herë, ajo ka një shumicë solide që i mundëson të kryejë reformat që i duhen vendit. Ky është rast i jashtëzakonshëm. Perspektiva europiane është një orientim për Kosovën. Marrëveshja e Stabilizim Asociimit e nënshkruar në vitin 2015 me Bashkimin Europian dhe e cila ka hyrë në fuqi në vitin 2016, shërben si udhërrëfyes i Qeverisë për integrimin europian të Kosovës.

Cili do të jetë fokusi gjatë Presidencës franceze të Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor?

Marie-Christine Butel: Bashkimi Europian sovran për të cilin angazhohet fuqishëm Presidenti Macron duhet të veprojë për stabilitetin dhe prosperitetin e fqinjësisë së tij. Kjo është arsyeja pse Presidenca Franceze e Këshillit të BE-së i ka vendosur vetes dy prioritete gjeografike: Afrikën në fqinjësinë jugore të Evropës dhe Ballkanin Perëndimor sepse, më shumë se fqinjë, Ballkani Perëndimor është në zemër të Evropës. Fatkeqësisht, rajoni aktualisht po përjeton tensione të reja. Prandaj, Presidenca franceze synon të promovojë integrimin e saj ekonomik, të lehtësojë shkëmbimet njerëzore brenda saj, të trajtojë çështjen e pakicave dhe të luftojë kundër ndërhyrjeve të huaja. Prandaj është planifikuar që në qershor të organizohet një konferencë që do të tubojë qeveritë dhe shoqërinë civile, në mënyrë që këto çështje të mund të diskutohen ndërmjet shteteve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Franca ka qenë skeptike sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. A mund të ndryshojë kjo qasje gjatë presidencës franceze të BE-së dhe te kemi një lajm pozitiv për qytetarët?

Marie-Christine Butel: Liberalizimi i vizave për qëndrim të shkurtër për Kosovën bazohet në zbatimin e një udhërrëfyesi që përfshinte 95 kritere. Në një raport të publikuar në vitin 2018, Komisioni europian vlerësoi se të gjitha këto kritere janë përmbushur dhe rekomandoi që Parlamenti europian dhe Këshilli i Bashkimit europian t’i japin Kosovës liberalizimin e vizave. Edhe Parlamenti europian është shprehur në disa raste lidhur me këtë çështje.

Megjithatë, liberalizimi i vizave sigurisht që varet nga kriteret teknike, por procesi përfundimtar i vendimmarrjes është i natyrës politike. Ndërkohë që i takon Komisionit europian të sigurojë respektimin e kritereve teknike, vendimi përfundimtar që merret me shumicë të kaulifikuar është përgjegjësi vetëm e Këshillit  të BE-së. Prandaj, do të jetë ai që do të vendosë.

Nga pala kosovare ka pasur zhvillime pozitive, siç është miratimi nga Kuvendi i Kosovës në nëntor 2018 i pakos së ligjeve që synojnë forcimin e sundimit të ligjit. Megjithatë, këto ligje nuk kanë prodhuar ende efekte të prekshme dhe të qëndrueshme. Prandaj është e rëndësishme që zbatimi i reformave nga i gjithë aparati shtetëror i Kosovës të vazhdojë dhe ligjet e miratuara të zbatohen plotësisht.

Për këtë arsye Franca konsideron, së bashku me disa shtete të tjera anëtare, se të gjitha kushtet e kërkuara nuk janë plotësuar ende plotësisht në këtë fazë. Prandaj, ne mbetemi shumë të vëmendshëm ndaj zhvillimve sa i përketë sundimit të ligjit si dhe luftës kundër korrupsionit dhe aktiviteteve të krimit të organizuar në Kosovë.

Gjithashtu, ne po punojmë në mënyrë aktive për të forcuar marrëdhëniet ndërmjet ministrive tona të brendshme. Kjo rezultoi vitin e kaluar me ardhjen në Prishtinë të disa delegacioneve dhe disa vizita në Paris nga ministri dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme. Disa veprime bashkëpunimi janë planifikuar tashmë për vitin 2022.

Si e vlerësoni dialogun Kosovë –Serbi dhe cili është qëndrimi i Francës për arritjen e një marrëveshje finale?

Marie-Christine Butel: Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është çështje sigurie dhe prosperiteti ekonomik për të dyja vendet, për rajonin dhe për Europën në tërësi. Dialogu dhe vazhdimi i negociatave në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit europian nuk ka alternativë.

Franca mbështet plotësisht Miroslav Lajçak, të dërguarin special të emëruar nga Bashkimi europian për të mbështetur këtë proces. Përveç kësaj, për të përforcuar angazhimin e saj për dialog, ajo ka ndërmarrë, me Gjermaninë, iniciativën për të organizuar një samit midis liderëve të shteteve dhe qeverive të Francës, Gjermanisë, Kosovës dhe Serbisë, fillimisht në Berlin në vitin 2019 dhe më pas në Paris në vitin 2020.

Është thelbësore që marrëveshjet e nënshkruara të zbatohen nga të dyja palët dhe që diskutimet të vazhdojnë në Bruksel për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme.

Franca dhe Kosova kanë bashkëpunim në shumë fusha- ku shihni potencial më të madh për të pasur një ecje edhe më të madhe? 

Marie-Christine Butel: Është e vërtetë që bashkëpunimi midis dy vendeve tona prek shumë fusha që do të duhej shumë hapësirë për t’i renditur këtu. Ne po punojmë për të thelluar marrëdhëniet tona në disa prej tyre. Për këtë, në nëntorin e kaluar u nënshkrua një deklaratë e shprehjes së interesit me ministrat e Punëve të Jashtme, të Arsimit dhe të Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Nëpërmjet kësaj deklarate, ne synojmë të krijojmë lidhje ndërmjet institucioneve franceze dhe kosovare në fushën e arsimit dhe kulturës. Kjo rezultoi me vizitën në Francë të një delegacioni të profesionistëve kosovarë në festivalin e Avignon verën e kaluar, pasuar nga një vizitë në rajonin e Hauts de France në vjeshtë, me rastin e së cilës përfaqësuesit e institucioneve kosovare patën mundësi të takojnë homologët francezë dhe fillojnë të ndërtojnë projekte bashkëpunimi.

Franca poashtu mbështet kinematografinë kosovare, e cila po shënon suksese të mëdha në festivalet më të rendësishme ndërkombëtare. Në veçanti, kjo mund rezultojë, shpresoj në vitin 2022, me nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëprodhimi filmik midis dy vendeve tona.

Siç e dini, Kosova është anëtare e asociuar e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, e cila bashkon 84 vende të botës. Franca e mbështet Kosovën në projektin e saj që tani të fitojë statusin, jo më të anëtarit të asociuar, por të anëtarit me të drejta të plota të kësaj organizate.

Viti 2021 u veçua edhe me forcimin e bashkëpunimit në mes të ministrive të brendshme franceze dhe kosovare, i cili do të vazhdojë edhe në vitin 2022.

Së fundi, do të përmend rininë, të cilën Presidenca franceze e Këshillit të BE-së e ka vënë si një ndër prioritetet e saj, duke qenë edhe viti 2022 si Viti Europian i Rinisë. Franca së bashku me Gjermaninë, janë iniciatore të themelimit të RYCO-s (Zyra Rajonale e Bashkëpunimit për Rininë e Ballkanit Perëndimor), anëtare aktive e së cilës është Kosova dhe që Franca e mbështet në nivel rajonal, por edhe përmes zyrës së saj në Prishtinë.

Të ngjashme