Bytyçi e porosit Hotin: Lëri ankesat e puno ose largohu si Kurti

Prishtinë | 28 Kor 2020 | 18:20 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi, ka kritikuar ashpër kryeministrin Avdullah Hoti për mënyrën e menaxhimit të pandemisë.

Ai ka thënë se qeveria Hoti, si ajo Kurti, nuk po di ta menaxhojë pandeminë, ndërsa rimëkëmbja ekonomike në tërë këtë tragjedi me jetë njerëzish, siç thotë Bytyçi, po duket tanimë si frazë klishe, e zbrazët dhe e pakuptimtë.

Ai ka porositur kryeministrin Hoti t’i lërë ankesat dhe t’i përvishet punës, ose të heqë dorë nga pozita e kryeministrit si paraardhësi i tij – Kurti.

POSTIMI I PLOTË:

Arroganca dhe padituria e qeverive të pandemisë, qoftë ajo e Kurtit, qoftë kjo e Hotit, po i shuajnë shpresat e qytetarëve!

Me një grup të jashtëzakonshëm punonjësish shëndetësorë, të përkushtuar dhe vetëmohues, po rrezikojnë ta humbin edhe betejën, edhe kontrollin kundër pandemisë!

Qytetarët tanë po vdesin, po vdesin familjarët tanë, miqtë dhe njerëzit me të cilët kemi ndarë pjesë të jetës sonë.

Heronjtë e sektorit shëndetësor, janë lënë vetëm dhe pa përkrahje adekuate.

NUK KA VENDE TË LIRA NË SPITALE, familjarët tanë po trajtohen korridoreve, pa mjete e me kapacitete të kufizuara.

Stafi mjekësor, janë para kolapsit fizik e shëndetësor.

Me të vërtetë janë treguar “supermenë”, por nuk janë të paprekshëm ata e as familjaret e tyre, edhe ata të gjithë janë të rrezikuar si të gjithë ne”.

”Por, gabimet e institucioneve tona po na kushtojnë e do të na kushtojnë neve, si në shëndet, në jetën, ekonominë dhe shtetin tonë.

Nga qeveria Kurti e deri te kjo Hoti, pandeminë asnjëherë nuk e trajtuan siç është me të vërtetë, një rrezik që merr jetë njerëzish.

Qeveria Hoti, si ajo Kurti, nuk po di ta menaxhoj pandeminë, ndërsa rimëkëmbja ekonomike në tërë këtë tragjedi me jetë njerëzish, po duket tanimë si frazë klishe, e zbrazët dhe e pakuptimtë.

Kur katër muaj më herët, kryetari i PDK-së, z. Veseli, propozoi masat në nivel nacional të rimëkëmbjes ekonomike dhe masat anti-covid, propozimi u trajtua si luftë politike për pushtet”.

”Por, tani po shihet se gabimi i bërë nga qeveria Kurti/Hoti, e ka bërë të vonshëm çdo reagim!

Shëndeti dhe jeta e njerëzve po rrezikohet, ekonomia është para kolapsit dhe qeveritë e “shpresës” të paafta dhe arrogante, siç duket, nuk do të mund të qëndrojnë mbi 100 ditë.

Kjo po dëshmon se duhet të ketë moral dhe seriozitet edhe në politikë. Pa përgjegjësi të treguar shtetërore, vije dështimi i tillë i turpshëm.

Kështu iku me mashtrim Albin Kurti, u vetëdorëzua! Edhe Avdullah Hoti, duhet shpejt të mendoj seriozisht: Ose t’i lërë ankesat dhe t’i përvishet punës, ose të heq dorë nga pozita e kryeministrit, si paraardhësi i tij!

Ka shpresë ky vend, ka njerëz të zotë dhe të përgjegjshëm si heronjtë e shëndetësisë, ka rrugëdalje, por, jo me mashtruesit dhe abuzuesit e shpresës qytetare!.

Të ngjashme