Bytyçi: Kërkesa e Kurtit që diaspora të mbështet financiarisht Kosovën në kohën e pandemisë është mashtrim

Prishtinë | 21 Pri 2020 | 16:49 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës Avni Bytyçi perms një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se kërkesa e kryeministrit në detyrë Albin Kurti që diaspora të mbështet financiarisht Kosovën në këtë kohë pandemie është mashtrim dhe hipokrizi.

Popullizmi ashtu sikurse gënjeshtra, i kanë këmbët e shkurta. Bëjnë shumë zhurmë në fillim, por punët i kanë të mangëta e të vogla, siç i ka kjo qeveri e shkarkuar, ka shkruar Bytyçi më tutje.

Postimi i plotë

Shqiptarët e diasporës, për një kohë të gjatë, kanë qenë baza e rezistencës sonë kulturore e kombëtare. Që nga koha e rilindësve e deri më sot, diaspora ka luajtur një rrol vendimtar në çështjet me rëndësi kombëtare.

Në rrethanat më të vështira, diaspora jonë ka qenë shpresa e rimëkëmbjes sonë.

Por, asnjëherë më parë nuk është abuzuar me diasporën tonë si në ditët tona. Ftesa e kryeministrit tani më të shkarkuar, z. Kurti, për të mbështetur financiarisht Kosovën në kohën e pandemisë është mashtrim dhe hipokrizi.

Republika e Kosovës ka para të mjaftueshme për të tejkaluar situatën e pandemisë. Mos aftësia e pushtetit aktual për të qeverisur me kapacitet që ka shteti, është thjeshtë dështim i pafalshëm.

Vetëm 391,886 euro janë grumbulluar nga diaspora që paraqet rreth 1/3-tën e popullsisë tonë, në krahasim me Malin e zi që ka tri herë popullsi më të vogël se ne, ka grumbulluar 6.817.483 euro. Madje ndryshe nga qeveria në ikje e Kosovës, malazezët e kanë procesin e donacioneve shumë transparent në faqen zyrtare https://www.coronainfocg.me/

Popullizmi ashtu sikurse gënjeshtra, i kanë këmbët e shkurta. Bëjnë shumë zhurmë në fillim, por punët i kanë të mangëta e të vogla, siç i ka kjo qeveri e shkarkuar.

Të ngjashme