Cakaj diskuton me përfaqësues të Ballkanit Perëndimor çështjen e liberalizimit për kosovarët: Proces i stërvonuar i BE-së

Prishtinë | 28 Tet 2020 | 19:29 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Shqipërisë, për Punë të Jashtme dhe Europë Gent Cakaj, ka thënë se e ka shtjelluar si problem çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën,  në debatin virtual të diskutimit me përfaqësues të Ballkanit Perëndimor.

Cakaj shkruan se liberalizimi për kosovarët është proces i stërvonuar dhe Bashkimi Europian duhet ta mundësojë një gjë të tillë sa më shpejtë.

”Patjetër, patjetër: nënvizuam fort se liberalizimi i vizave për Kosovën është një proces i stërvonuar dhe Bashkimi Evropian duhet t’ju mundësojë sa më parë lëvizjen e lirë shtetasve të Republikës më të re të Evropës”.

Më tej ministri shqiptar thekson që diskutuan edhe përkushtimin e fortë të Shqipërisë për të çuar përpara reformat e nevojshme për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

”Theksuam, mes tjerash, përkushtimin e fortë të Shqipërisë për të çuar përpara të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

”Ky është çelësi për t’i siguruar një perspektivë më të ndritshme shoqërisë shqiptare e rinisë në veçanti: zhvillimi i një jete në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, në Shqipëri. Shqipëria, populli i të cilës mbështet në masë më shumë se 90% procesin e integrimit evropian, natyrisht, do të vazhdojë pa kursyer asnjë përpjekje për t’u bërë një ditë anëtare e familjes së vendeve të Evropës së bashkuar”.

Gent Cakaj me ftesë të Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Mass, qe sot pjesëmarrës në konferencën ndërkombëtare, ”Të rinjtë, migracioni dhe sfidat demografike në Ballkanin Perëndimor”.

Të ngjashme