Cakaj solidarizohet me Kosovën, anulon pjesëmarrjen në samitin e Sarajevës

Prishtinë | 08 Kor 2019 | 07:48 | Nga Ekonomia Online

Tirana është solidarizuar me Prishtinën duke refuzuar pjesëmarrjen në samitin për bashkëpunimin rajonal që mbahet sot në Sarajevë. Kryediplomati në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj, tha të dielën se kërkesa e organizatorëve proserbë që presidenti i Kosovës të mos ftohet si përfaqësues shteti është e papranueshme.

Shqipëria dhe Kosova kanë anuluar njëherësh pjesëmarrjen në samitin rajonal që do të organizohet të hënën në Bosnjë-Hercegovinë.

Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, njoftoi të dielën se pjesëmarrja në nismën “Procesi i Bashkëpunimit për Europën Juglindore” është refuzuar në shenjë solidariteti me Kosovën.

“Trajtimi që i bëhet Kosovës nga organizatorët është i papranueshëm dhe shkon përkundër atmosferës së besimit, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe stabilitetit që ne synojmë. Nuk ka bashkëpunim pa trajtim të barabartë. Ne jemi bashkë”, ka thënë Cakaj.

Shkak për refuzimin, e konfirmuar një ditë më parë edhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u bë ftesa zyrtare drejtuar kryeshtetarit në Prishtinë.

Në një shkrim në rrjetet sociale, ai sqaroi se kryesuesi i presidencës serbe të Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, i kishte kërkuar që të mos përfaqësohej në punimet e samitit si president i Kosovës.

“Sjellja e Bosnjë-Hercegovinës është e papranueshme dhe paradoksale, dhe tërësisht antieuropiane, që nuk dallojnë me ato të Serbisë. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për fqinjësi të mirë, bashkëpunim rajonal dhe të ardhme euroatlantike, mirëpo nuk pranon të nënshtrohet dhe të diskriminohet nga askush”, ka thënë Thaçi.

Prishtina vendosi ta bojkotojë nismën e bashkëthemeluar nga Shqipëria edhe shtatorin e kaluar, e nxitur nga deklarata e përfaqësuesit të republikës serbe, Dodik, se kryediplomati i Kosovës, Behgjet Pacolli, dhe delegacioni kosovar nuk ishin të mirëseardhur në vendin e tij.

Të ngjashme