Cakolli rikujton disa argumente që VV-ja i kishte parashtruar kur Thaçi kishte shtyrë zgjedhjet për kryetar të Podujevës

Prishtinë | 11 Sht 2021 | 13:07 | Nga Ekonomia Online

Eugen Cakolli nga KDI ka folur pasi kryetari i Kuvendit dhe numri dy në Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka qenë i pari zyrtar i lartë shtetëror që ka hedhur në publik idenë e shtyrjes së zgjedhjeve lokale.

Ai ka rikujtuar disa argumente të parashtruara nga VV-ja pranë Gjykatës Kushtetuese kur Presidenti Thaçi kishte shtyrë zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës.

Ndryshe, presidentja Osmani ka ftuar në takim partitë politike më 13 shtator në orën 17:00 për të diskutuar opinionin dhe rekomandimin e IKSHP-së dhe Taskë Forcës anti-COVID për ndikimin që zgjedhjet mund të kenë në situatën pandemike nëpër të cilën po kalon Kosova.

Postimi i plotë i Cakollit:

Meqenëse tash seriozisht po trajtohet mundësia e shtyrjes së zgjedhjeve lokale, t’i rikujtojmë disa argumente të parashtruara një vit më parë:

– Presidenti nuk ka autoritet që të vendosë për shtyrjen e zgjedhjeve komunale për shkak të rritjes së numrit të personave të infektuar me COVID-19;

– Shtyrja e zgjedhjeve privon qytetarët nga e drejta e tyre kushtetuese, sipas nenit 45, për t’u zgjedhur apo për të zgjedhur një nga kandidatët e certifikuar nga KQZ-ja;

– Shtyrja e zgjedhjeve ndalon që demokracia të materializojë funksionin e vetë përmes pjesëmarrjes së qytetarëve të komunës në drejtim të zgjedhjes përmes votimit të përfaqësuesit të tyre në komunën përkatëse;

– Shtyrja e zgjedhjeve paraqet cenim të konventave ndërkombëtare dhe Kodit të Praktikës së Mirë në Çështjet Zgjedhore. Shtyrja, pa mbështetje kushtetuese dhe ligjore, shkel po ashtu të drejtat e garantuara sipas nenit 3 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së;

Këto argumente (dhe të tjera) kundër shtyrjes së zgjedhjeve janë parashtruar pranë Gjykatës Kushtetuese (Rasti KO98/20) nga grupi parlamentar i LVV-së, kur Presidenti Thaçi kishte shtyrë zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme