Cakolli: Vendimi i Osmanit për shkarkimin e Dakës është politik, në kundërshtim të plotë me parimet e Komisionit të Venecias

Prishtinë | 16 Qer 2021 | 11:57 | Nga Ekonomia Online

Eugen Cakolli nga KDI thotë se presidentja e vendit, Vjosa Osmani nuk i ka plotësuar kushtet dhe rrethanat ligjore në rastin e shkarkimit të Valdete Dakës nga posti i kryetares së KQZ-së.

Ai ka thënë se Osmani nuk ka asnjë fakt të bazuar apo të qëndrueshëm, duke shtuar se vendimi që ka marrë e njëjta është politik.

“Për më shumë, bazuar në faktin që pothuajse asnjë prej argumenteve të vendimit të Presidentes nuk janë të qëndrueshme e as të bazuara, atëherë lehtësisht mund të konkludohet se vendimi si i tillë është politik, cenon kredibilitetin e KQZ-së, por edhe vet parimin e neutralitetit mbi palët që Presidentes ia përcakton Kushtetuta”, tha Cakolli.

Shkrimi i plotë:

MBI PAARSYESHMËRINË E SHKARKIMIT TË ISH-KRYESUESES SË KQZ-SË NGA PRESIDENTJA E VENDIT

Edhe pse legjislacioni zgjedhor parasheh mundësinë e ndërprerjes së mandatit të Kryesuesit të KQZ-së nga ana e Presidentit të vendit, kushtet dhe rrethanat ligjore nuk janë plotësuar as për së afërti në rastin aktual, e madje janë në kundërshtim të plotë me parimet e Komisionit të Venecias. Për më shumë, bazuar në faktin që pothuajse asnjë prej argumenteve të vendimit të Presidentes nuk janë të qëndrueshme e as të bazuara, atëherë lehtësisht mund të konkludohet se vendimi si i tillë është politik, cenon kredibilitetin e KQZ-së, por edhe vet parimin e neutralitetit mbi palët që Presidentes ia përcakton Kushtetuta.

*

Të hënën, në një situatë krejt të paprecedent në historikun e funksionimit të institucioneve kushtetuese, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mori vendim për ndërprerjen e parakohshme të mandatit të tashmë ish-kryesueses së KQZ-së, Valdete Daka.

Përkundër kontekstit politik por edhe atij kronologjik të vendimit të Presidentes, çështja më problematike është vet vendimi, përkatësisht arsyetimi i tij. Parë kryesisht nga numri i paragrafëve por edhe përmbajtja e tyre, mund të konkludohet se janë shtruar gati 10 argumente, mbi bazën e të cilave është marrë vendimi. Por, sa qëndrojnë dhe sa janë njëmend të bazuara këto argumente e arsyetime? Në vijim, po i trajtojmë ato një për një.

1.

Çështja e parë e elaboruar në vendimin e Presidentes është se çfarë është KQZ-ja, mënyra se si funksionon ajo, roli i Kryesuesit të KQZ-së e të ngjashme, që në fakt janë kryesisht një përshkrim i kuadrit ligjor vendor dhe praktikës ndërkombëtare. Por, vendimi i Presidentes dhe zhvillimet tjera bien ndesh pikërisht me Kodin e Praktikës së Mirë në Çështjet Zgjedhore të Komisionit të Venecias, i cili përcakton që “Organet që emërojnë anëtarët e komisioneve zgjedhore nuk duhet të kenë dorë të lirë për t’i shkarkuar ata sipas dëshirës”. Për më tepër, ky Kod, i cili nuk është marrë fare në trajtim nga Presidentja, e konsideron të papranueshëm shkarkimin sipas diskrecionit, si dhe, ndonëse njeh shkarkimin për arsye disiplinore, kërkon që arsyet për një shkarkim të tillë të jenë të qarta dhe të mbështetura në ligj. Madje, si shembull që s’duhet ndjekur, nga Komisioni i Venecias merren pikërisht situata si kjo e jona, ku thuhet “77. […] arsye të paqarta të natyrës “akte që diskreditojnë komisionin” nuk janë të mjaftueshme).”

Në pjesën e parë të arsyetimit të Presidentes, kryesueses së KQZ-së i obligohet ruajtja e paanshmërisë së KQZ-së nga formacionet politike, ndonëse faktikisht ka qenë pikërisht ish-kryesuesja e KQZ-së që me një sërë veprimesh ka penguar shkeljet ligjore të cilat ishin gati të kryhen pikërisht nga stafi i KQZ-së apo vet KQZ-ja, të cilat do të elaborohen më poshtë. 

2.

Pas trajtimit stilistik që i bëhet kornizës ligjore dhe praktikës evropiane mbi funksionimin e KQZ-së dhe rolit të Kryesuesit të saj, vendimi i Presidentes fillon e bëhet kontradiktor e me shkarje të mëdha logjike. Argumenti i dytë i shtruar në arsyetim të vendimit është cenimi i pavarësisë dhe integritetit të KQZ-së. Ish-kryesuesja akuzohet fillimisht se ka cenuar pavarësinë dhe integritetin e KQZ-së në zgjedhjet e 14 shkurtit, që si për ironi janë konsideruar ndër zgjedhjet më të suksesshme që Kosova ka organizuar ndonjëherë. Konkretisht, ajo akuzohet lidhur me çështjen e certifikimit të kandidatëve me precedent penal dhe votimit të personave jashtë vendit që nuk kanë aplikuar, vendime këto që janë përkundrazi ruajtje e integritetit të zgjedhjeve. Për më shumë, akuzat për cenim të pavarësisë dhe integritetit të KQZ-së vijnë nga dikush që, në cilësinë e U.D. të Presidentit, duke qenë për më tepër edhe pjesë e garës zgjedhor, përmes kërcënimeve publike kishte cenuar rëndë pavarësinë dhe integritetin e KQZ-së.

Së dyti, pjesa e vendimit që flet për vendimi në mënyrë indirekte supozon se kryesuesja është dashur të jetë forcë e pavarur dhe balancuese ndaj polarizimeve në KQZ. Ky koncept bie ndesh me pjesën paraprake të arsyetimit, por edhe vetë praktikën e funksionimit të institucioneve zgjedhore, për shkak se kryesuesja në fakt është e obliguar të garantojë ligjshmërinë e zgjedhjeve, pavarësisht se cilat të ashtuquajtura “formacione politike” implikohen nga ajo.

Tutje, argumenti ripërsëritë qëndrimin tërësisht politik të Presidentes mbi situatën e 22 janarit, me rastin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre. Stafi i KQZ-së, përkatësisht Drejtori i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim (ZRPPC), në atë mbledhje kishte sjellë një propozim të kundërligjshëm, si për nga mënyra e paraqitjes, ashtu edhe për nga përmbajtja. Propozimi i ZRPPC-së për certifikimin e të gjitha listave zgjedhore në pako (në kundërshtim të plotë me nenin 26), duke mos respektuar fare nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe duke mos marrë në konsideratë shkresat zyrtare të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ishte – për të mos thënë i ndikuar politikisht – aspak profesional dhe i pa bazë ligjore. Veprimet e KQZ-së, respektivisht qëndrimi i Kryesueses, që kishte parandaluar një shkelje ligjore, ishte konfirmuar gati se plotësisht edhe nga instancat tjera gjyqësore, gjegjësisht Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe Gjykata Supreme. 

Thënë shkurt, përveç se argumenti që kryesuesja me veprimet e saj ka ushtruar presion ndaj stafit të KQZ-së, nuk qëndron aspak, i njëjti po ashtu përbën mungesë të njohuri themelore të legjislacionit zgjedhor, e ndoshta edhe një lloj konflikti të interesit mes pozitës dhe kompetencave të vet Presidentes.

3.

Argumenti mbase më i çuditshëm ndër të gjithë është ai që kryesuesja e KQZ-së bartë përgjegjësi për problemet me të cilat është ballafaquar mbarëvajtja e procesit zgjedhor, të tilla si pasaktësia e listës së votuesve, problemet me votimin jashtë vendit, trajnimet e komisionerëve dhe fushatat për informim dhe edukim të votuesve. Përmenden gjithashtu edhe raportet e organizatave vendore dhe ndërkombëtare, përkatësisht rekomandimet e tyre.

Së pari, po, organizimi dhe administrimi i zgjedhjeve janë larg të qenit të përsosura në Kosovë. Por, i tillë s’është askund. Edhe vendet me demokracitë më të avancuara ballafaqohen me probleme të një karakteri të ngjashëm. Por, assesi nuk bën të anashkalohet fakti që Kosova ka shënuar avancimet më të ndjeshme në organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve përgjatë viteve të fundit, e madje shpesh për këtë Kosova quhet si “kampion” i organizimit të tyre. Vlerësime të tilla janë dhënë edhe nga organizatat vendore e ato ndërkombëtare të cilat përmenden në vendim. Në anën tjetër, po, pa dyshim që ka hapësirë për përmirësim të procesit zgjedhor, e madje përtej atyre çështjeve të përmendura nga Presidentja. Por ndryshime të tilla duhet të jenë pjesë përbërëse e një reforme zgjedhore, të cilën KQZ-ja, e aq më pak kryesuesja, s’mund t’a iniciojnë e as t’a përmbyllin. Kjo është përgjegjësi ekskluzive e spektrit politik, të cilët, thënë të drejtën, veçse kanë pamundësuar ndryshime teknike, me procese të shpeshta zgjedhore.

Sa i përket elementeve specifike, përpilimi i listës së votuesve, si i tillë, është kompetencë vetëm formale e KQZ-së, meqenëse ekstraktet merren nga Agjencia e Regjistrit Civil. Çfarë KQZ-ja ka në dorë gjatë zgjedhjeve është kryesisht ofrimi i mundësisë së kundërshtimit dhe sfidimit të kësaj liste, e që pastaj topi është në dorën e qytetarëve. Ndërsa, vendimi i Presidentes nuk merr fare në konsideratë faktin që në këto zgjedhje është shënuar pastrimi më përmbajtësor i listës zgjedhore, me heqjen e mbi 100 mijë personave nga lista. Trajnimet e komisionerëve janë gjithashtu hallkë e ndjeshme e procesit zgjedhor, edhe pse problemi rrënjësor janë vet komisionerët e propozuar nga subjektet politike, prej të cilëve ligjërisht u kërkohen si kritere vetëm shkrim-leximi, shkollimi i mesëm dhe “përvoja” në zgjedhje. Me probleme shoqërohen edhe kampanjat për informim dhe edukim të votuesve – edhe pse këto të fundit kanë shënuar përmirësime të ndjeshme në ciklet e fundit zgjedhore, me numrin e fletëvotimeve të pavlefshme që është në rënie e sipër.

Por, sidoqoftë, t’ia ndërpresësh mandatin kryesueses së KQZ-së për shkak të trajnimeve jo fort kualitative të komisionerëve – e thënë realisht mungesës së profesionalizmit dhe integritetit të tyre – apo kampanjave joadekuate për informim, është thjesht e papranueshme.

4.

Kur jemi tek votimi jashtë vendit, që është argumenti i radhës në arsyetimin e Presidentes, së pari, duhet të thuhet pa ekuivoke se ky është operacioni më i cenueshëm i procesit zgjedhor, e madje edhe më i keqpërdoruri nga subjektet politike për përfitime elektorale.

Në radhë të parë, vendimi për verifikimin e votuesve jashtë vendit, ishte propozuar nga Këshillat përkatëse të KQZ-së, ku ish-kryesuesja nuk është anëtare. Vendimi është arsyetuar e përkrahur unanimisht në mbledhjen e KQZ-së të datës 11 janar. Madje, konsideroj se ky vendim përveç se nuk përbën në asnjë rrethanë kufizim të së drejtës së votës për qytetarët, është ndër mënyrat e pakta përmes së cilave mund të garantohet integriteti i votimit jashtë vendit, që është lënduar shpesh e në përmasa të konsiderueshme. Megjithatë, edhe po të kishte shkelje – e që juridikisht s’ka pasur – ish-kryesuesja ka pasur vetëm një të votë, njësoj sikur 10 anëtarët tjerë. Gjithashtu, është e vërtetë që vendimi për verifikim s’ka qenë fare popullor, dhe ka ngjallur reagime. Por kjo kurrsesi nuk e përjashton nevojën për verifikim. Sa për ilustrim, në saje të këtij verifikimi, janë qindra votues të cilët është konfirmuar se nuk kanë aplikuar fare, që përbën indikacion për vepër penale që do t’a dëmtonte integritetin e zgjedhjeve.

Tutje, arsyetimi përmban një kontradiktë thelbësore. Aty thuhet: “[…] personat që vendosën ta përdornin ankesën si mjet juridik ndaj këtyre vendimeve (të KQZ-së lidhur me verifikimin e tyre), kishin vetëm një ditë afat për t’a bërë këtë.” Përveç se një afat i tillë ishte i paracaktuar me Planin Operacional të Zgjedhjeve, i miratuar nga KQZ-ja në fillim të zgjedhjeve, ky argument bie ndesh me një ndër argumentet e mëparshme që potencon rrezikimin e afateve zgjedhore, të përcaktuara paraprakisht nga vet KQZ-ja.

Meqë jemi tek votimi jashtë vendit, duhet gjithsesi të përmendet fakti që KQZ-ja ka avancuar mënyrën e regjistrimit të votuesve, duke mundësuar aplikimin për regjistrim përmes e-mail adresës, edhe pse një gjë e tillë nuk përcaktohet taksativisht në legjislacionin zgjedhor. Mirëpo, kjo çuditërisht nuk u mor fare në konsideratë nga Presidentja.

5.

Argumenti i radhës ka të bëj me trajtimin e pabarabartë të qytetarëve sa i përket identifikimit të votuesve me dokumente me afat të skaduar. Edhe ky argument është kontradiktor, i pasaktë dhe në shpërputhje me linjën logjike të argumenteve tjera, e mbi të gjitha i pamjaftueshëm për të qenë shkelje e integritetit të KQZ-së. Së pari, duhet përmendet që ky vendim, i kundërshtuar edhe nga organizatat vendore që vëzhguan zgjedhjet, ishte marrë me propozim dhe aprovim të anëtarëve të KQZ-së. E në mesin e anëtarëve që morën pjesë në atë votim, ish-kryesuesja ishte e vetmja që votoi kundër dhe kundërshtoi një vendim të tillë, pikërisht mbi arsyetimin se përbënte cenim të parimit të trajtimit të barabartë të qytetarëve. E në këtë argument, Presidentja nuk përmend as procesverbalin, e as nuk ka ndërmarrë asnjë iniciativë ndaj anëtarëve që propozuan dhe miratuan atë vendim. Brenda këtij argumenti, Presidentja del sërish jashtë kompetencave të saj, duke u lëshuar në interpretim të normave kushtetuese, pa pasur një vendim të institucioneve përkatëse.

Së dyti, një lëshim tjetër në kuadër të këtij argumenti është theksimi që “[…] qytetarëve të cilët kanë votuar me postë i është dashur të përdorin dokumente valide.” Kjo përveç se nuk është aspak e vërtetë, vlen të theksohet që pikë problematike e votimit jashtë vendit, është pikërisht fakti që të drejtën e votës e kanë edhe personat që nuk kanë fare shtetësi të Kosovës, e lëre më dokumente valide.

Ngjashëm sikur në argumentin paraprak, edhe në argumentin lidhur me çështjen e mbrojtjes të të dhënave personale, Presidentja sërish merr kompetenca të cilat si takojnë. Ajo konstaton shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, pa pasur një vendim të institucioneve gjyqësore për rastet në fjalë.

Si përfundim, edhe pse legjislacioni zgjedhor parasheh mundësinë e ndërprerjes së mandatit të Kryesuesit të KQZ-së nga ana e Presidentit të vendit, kushtet dhe rrethanat ligjore nuk janë plotësuar as për së afërti në rastin aktual, e madje janë në kundërshtim të plotë me parimet e Komisionit të Venecias. Për më shumë, bazuar në faktin që pothuajse asnjë prej argumenteve të vendimit të Presidentes nuk janë të qëndrueshme e as të bazuara, atëherë lehtësisht mund të konkludohet se vendimi si i tillë është politik, cenon kredibilitetin e KQZ-së, por edhe vet parimin e neutralitetit mbi palët që Presidentes ia përcakton Kushtetuta.


Të ngjashme