Cana: Qeveria e ka këtë sponzor për anëtarësim në KE, Kurti nuk i kupton implikimet e procesit

Prishtinë | 12 Maj 2022 | 19:17 | Nga Ekonomia Online

Edon Cana, ish-shef i misionit të Kosovës në Strasburg të Francës, tha se Kosova është gati për anëtarësim në Këshillin e Europës që nga viti 2013.

Cana tha në Frontal të T7 se ditën e sotme “mund ta konsiderojmë ditë historike”, ndërsa kritikoi kryeministrin Albin Kurti dhe Qeverinë për mosaktivizim të duhur në këtë proces.

“Unë mendoj që kryeministri Kurti nuk i kupton implikimet e këtij procesi, sepse po t’i kuptonte, do të ishte më aktiv në procesin e lobimit”, tha Cana.

Ai u shpreh se në Qeveri “nuk kanë përvojë në procesin e anëtarësimit”, por theksoi se Kosova e pati një sponzor të fortë për të aplikuar për anëtarësim në KE.

“Arsyeja se pse tani Qeveria ka aplikuar është se e kishte një sponzor dhe ai sponzor doli të jetë në mënyrë publike në përkrahje për anëtarësim dhe ai ishte Gjermania. Kështu që nuk është se ishte përgatitur Qeveria për këtë punë”, tha Cana.

Sipas tij, Kosova i ka pasur votat për anëtarësim që në vitin 2013, por tha se “disa shtete mike të Kosovës na kanë ndaluar”.

Cana tha se 9 vjet janë humbur kot “për disa konsiderata të tyre (shteteve anëtare) gjeopolitike që tani po shihen si gabime historike gjeopolitike”.

Të ngjashme