CDU/CSU kërkon hapa konkrete nga qeveria gjermane për mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në KiE

Prishtinë | 13 Maj 2022 | 12:20 | Nga Ekonomia Online

Grupi parlamentar më i madh opozitar në Gjermani, CDU/CSU, ka kërkuar nga qeveria gjermane mbështetje aktive për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në një deklaratë për media, të enjten në mbrëmje, deputeti i CDU-së, Michael Brand, shkruan se “kërkesa e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është një hap logjik”.

Brand vlerëson se “Kosova në të kaluarën e afërt ka bërë progres të madh në aspektin e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit”.

Deputeti i CDU-së, i cili është kryetari i Grupit të Punës për të Drejtat e Njeriut dhe Ndihmën humanitare të Grupit parlamentar CDU/CSU tha më tej se “asnjë vend tjetër evropian nuk i referohet kaq qartë në Kushtetutë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Juridiksioni i saj që tashmë njihet si i detyrueshëm për Kosovën”.

Brand shkruan po ashtu se Kosova është “deri tani vendi më pro-evropian në Ballkan”, duke argumentuar se më shumë se 90 për qind e popullsisë është vazhdimisht në favor të integrimit në BE dhe NATO.

“Nën qeverinë e re, vendi po ndjek një politikë absolutisht pro-evropiane dhe pro-perëndimore. Qeveria e Kosovës gjithashtu shumë shpejt i është bashkuar të gjitha sanksioneve perëndimore kundër Rusisë.”

Brand thotë se anëtarësimi në strukturat euroatlantike do të krijonte stabilitet në Ballkan.

“Në pikën e kthesës pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, qeveria federale duhet të mbështesë në mënyrë aktive kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE dhe NATO, në mënyrë që paqja në pjesët e tjera të Evropës, veçanërisht në Ballkan, të mos rrezikohet më nga veprimet e Rusisë dhe Serbisë – nga propaganda pro-ruse te manovrat ushtarake”.

Momenti i duhur

Kontributi më i rëndësishëm për këtë është njohja në tërësi e kufijve në Evropë, shkruan më tej deputeti gjerman.

“Nëse Serbia dhe Rusia nuk mund të vazhdojnë lojën e tyre të rrezikshme kufitare në Ballkan, rreziku i një konflikti të ri atje do të reduktohet ndjeshëm. Mbështetja për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës do të ketë efekt stabilizues edhe në situatën në Bosnje-Hercegovinë, ku edhe ekstremistët serbë, aleatë me Rusinë, po i vënë në pyetje kufijtë”.

Politikani i CDU-së, shpjegon se përse tani është momenti i duhur për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës:

“Në Këshillin e Evropës, më shumë se 72 për qind e shteteve anëtare e kanë njohur tashmë Republikën e Kosovës, ndërsa të tjerat janë afruar me njëri-tjetrin. Është koha e duhur dhe qasja e duhur për të bërë një hap të rëndësishëm përpara në integrimin e mëtejmë të Kosovës dhe në të njëjtën kohë të gjithë rajonit.”

Në përfundim të deklaratës së tij për media, Michael Brand, kërkon që qeveria gjermane të bëjë hapa konkrete.

“Tani është e rëndësishme që qeveria federale jo vetëm të bisedojë, por edhe të veprojë në mënyrë aktive. Kancelari Federal dhe Ministrja e  Jashtme i kanë siguruar personalisht lidershipit kosovar mbështetjen e tyre. Kjo tani duhet të reflektohet në veprime konkrete”.

Të ngjashme