Çelaj: Stadiumi mund të zhvendoset në Drenas shkaku i Ahmetit

Prishtinë | 29 Tet 2017 | 13:31 | Nga

Dega e PDK-së në Prishtinë ende nuk ka marrë ndonjë njoftim prej Qeverisë se Stadiumi i Kombëtares do të ndërtohet në Drenas.

Lirak Çelaj thotë se në parim fusha e sportit duhet të ndërtohet në Kryeqytet. Por, thotë ka rrezik të dështojë ky projekt për shkak të Shpend Ahmetit.

Ndërkohë, kryetari aktual, të shtunën, tha se pari stadiumi ndërtohet në qytetin më të madh pastaj në të tjerat.

Kryetari i degës së PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj po thotë se Stadiumi Olimpik në parim duhet të ndërtohet në Prishtinë.

Por projekti, sipas tij, mund të zvarritet për shkak të ngathtësive së Shpend Ahmetit, andaj ndërtimi i Stadiumit mund të zhvendoset për në Drenas.

“Në Prishtinë kemi pas raste të ndryshme, në parim jam që Stadiumi të jetë në Prishtinë, po nëse kjo punë nuk realizohet për shkak të ngathtësisë së kryetarit aktual, atëherë ajo është normale që të ndërtohet diku tjetër. Ne nuk mundemi ta presim me vjet kryetarin aktual”, ka thënë Çelaj.

Ai ka shprehur bindjen se një projekt i tillë lehtësisht mund të realizohet në Drenas nga Ramiz Lladrovci.

“Komuna e ndan hapësirën, besoj shumë që zt. Lladrovci nëse thotë që e ndanë hapësirën edhe do ta ndaj, e nuk do ta lejë punën për çështje burokratike, ai din me marrë vendime dhe besoj që e bënë”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, Kryetari i Prishtinë, të shtunën pasdite, e ka kursyer PDK’në nga kritika pse po zhvendoset Stadiumi në Drenas derisa ka thënë se së pari një objekt i tillë duhet të ndërtohet në Kryeqytet.

“Stadiumi kryesor i secilit shtet gjithmonë është në kryeqytet. Është e paarsyeshme që të diskutohet ndërtimi i çfarëdo stadiumi tjetër nga qeveria pa u ndërtuar stadiumi nacional në Bërnicë, Kryeqytet, Komuna e Prishtinës”, kishte reaguar Ahmeti, në FB.

Rreth ndërrimit të lokacionit për ndërtimin e stadiumit Olimpik, janë deklaruar edhe zyrtarët e lartë të PDK’së. Kreu i kësaj partie, Kadri Veseli ka thënë se stadiumi i kombëtares do të ndërtohet në Drenas e jo në Bërnicë të Poshtme.

Por, në Zyrën e Kryeministrit, kanë thënë se stadiumi i Kombëtares do të ndërtohet në Prishtinë. Të shtunë, Avni Arifi, Këshilltar i Kryeministrit Haradinaj, ka thënë se është rrem e kulluar ndërrimi i lokacionit për Stadiumin.

Në anën tjetër, ministri i Sportit, Kujtim Gashi, ka konfirmuar të shtunën se gjasat më të mëdha janë që Stradiumi të ndërtohet në Drenas. Ka thënë se ende s’ka vendim për ndërtimin e Stadiumit.

“Ne jemi duke e analizuar, pasi mundësi pak më e mirë po na duket Drenasi, për shkak se e ka aeroportin afër, autostradën, dhe gjitha. Është në mes të Kosovës. Dmth është një ide që po na pëlqen edhe neve. Është ideuar për tu ndërtuar në Bernicë, por në fakt me dokumentacion dhe letra nuk kanë pasur vendim”, është shprehur Ministri i MKRS’së Kujtim Gashi

Në janar të këtij viti, Ministri i Sportit i Qeverisë së kaluar, Kujtim Shala, kishte konfirmuar se Stadiumi i Kombëtares do të ndërtohej në Bërnicë të Poshtme, që ndodhet 4.5 km nga qendra e Prishtinës, në një hapësirë prej rreth 38 hektarësh.

Në fakt. Qeveria e udhëhequr prej Isa Mustafës asnjëherë se kishte nxjerr në Ekzekutiv vendimin për ndërtimin e Stadiumit në Bernicë. E kishte lënë vetëm në nivel të Ministrisë së Sportit të udhëhequr atëkohë nga Kujtim Shala.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme