Ceremonia lamtumirëse e Abe, Kurti takon kryeparlamentarin e Japonisë

Prishtinë | 27 Sht 2022 | 08:48 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është duke qëndruar në vizitë zyrtare dyditore në Japoni me rastin e ceremonisë së varrimit të ish-kryeministrit japonez, Shinzo Abe.

Kurti ka takuar Kryeparlamentarin japonez, Hiroyuki Hosoda, teksa ishte shoqëruar nga ministri i financave, Hekuran Murati dhe ambasadori kosovar në Japoni, Sabri Kiçmari.

Kurti, mes tjerash, thotë se me Japoninë, Kosova ndanë pikëpamje të njëjta sa i përket rrethanave gjeopolitike në botë dhe vlerave demokratike e humane, për këtë arsye edhe duhet të rritet bashkëpunimi.

“Gjatë vizitës dyditore në Japoni me rastin e ceremonisë lamtumirëse dhe funeralit shtetëror për ish kryeministrin z. Shinzo Abe, zhvillova takim me Kryetarin e Kuvendit të Japonisë, z. Hiroyuki Hosoda, i cili na priti në rezidencën e tij zyrtare. I shoqëruar nga Ministri i Financave, z. Hekuran Murati, dhe ambasadori ynë, z. Sabri Kiçmari, prezantuam të arriturat e Kosovës, e falënderuam për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë dhe shprehëm interesimin për investime japoneze në Kosovë”.

“Me Japoninë ndajmë pikëpamje të njëjta sa i përket rrethanave gjeopolitike në botë dhe vlerave demokratike e humane andaj duhet ta shtojmë bashkëpunimin. Paraprakisht, vizitova ambasadën e Republikës së Kosovës në Tokio ku na u bashkangjit për takim edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë, z. Gjergj Teneqexhiu”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Të ngjashme