Certifikohet lista e votuesve, 1 milion e 794 mijë e 862 votues brenda Kosovës, më pak se në 2019-të

Prishtinë | 02 Shk 2021 | 18:25 | Nga Përparim Bublaku

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar Listën Përfundimtare të Votuesve brenda dhe jashtë Kosovës për zgjedhjet e 14 shkurtit, raporton Ekonomia Online.

Sipas KQZ-së numri i votuesve brenda Kosovës është 1 milion e 794 mijë e 862 votues, apo 143 mijë e 6 votues më pak se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019.

Arsyeja se përse ka më pak votues në këto zgjedhje është për shkak se KQZ-ja ka vendosur që t’i largojë nga lista votuese 122 mijë e 421 persona të cilët posedojnë vetëm dokumente të identifikimit të lëshuar nga UNMIK-u. Sipas KQZ-së, dokumentet e UNMIK-ut nuk shërbejnë për t’u identifikuar në vendvotim në ditën e zgjedhjeve.

Po ashtu, KQZ-ja ka larguar nga lista votuese edhe 11 mijë e 86 persona të cilët janë konfirmuar se janë larguar nga skema pensionale për shkak se kanë vdekur.

Numri i Qendrave të Votimit në të gjithë Kosovën është 888, me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime.

Tutje, Sami Kurteshi ka thënë se është gabim të mos certifikohen votuesit vetëm pse nuk kanë shkruar numrin e telefonit apo që kane mbiemër të njëjtë. Sipas tij këto raste duhet verifikohen dhe të hyjnë në listën e votueseve.

Përfaqësuesi i PDK-së, Arianit Elshani, ka thënë se ka pas raste brenda formularëve të cilët kanë qenë të paidentifikueshme.

KQZ-ja ka miratuar fletëvotimin dhe broshurën për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2021 për zgjedhjet e 14 shkurtit

Burim Ahmetaj tha se fletëvotimi përmban të gjitha kriteret e përcaktuara siç është logo e KQZ-së emrin dhe numrin e subjekteve politike si dhe numrat për kandidatet. Ai ka thënë se fletëvotimi përmban edhe efektet e sigurisë.

Valdete Daka ka thënë se ja dy lloje të fletëvotimeve.

Arianit Elshani nga PDK ka thënë se ata në përputhje me ligjet kanë kërkuar që brenda fletëvotimeve të jetë edhe slogani rimëkëmbje. Ai ka kërkuar që kjo kërkesë të përfshihet duke shtuar se ata si parti nuk janë informuar për kërkesën e tyre nëse do të aprovohet ajo.

Sami Kurteshi ka thënë se partitë sipas rregullores aplikojnë në bazë të emrit dhe akronimit jo sloganit.

Me shumicë votash është miratuar fletëvotimi për zgjedhjet. Ndërsa s’ka kaluar  rekomandimi i përfaqësuesit të PDK-së që në fletëvotim të jetë edhe slogani i partisë.

Valdete Daka ka kërkuar që fletëvotimi të publikohet sa më shpejt në webfaqe në mënyrë që të filloj votimi nga diaspora.

Lexoni edhe:

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme