Çështja e targave, Lajçak: Tani iu takon Kosovës dhe Serbisë të gjejnë një marrëveshje përfundimtare

Prishtinë | 20 Pri 2022 | 18:58 | Nga Ekonomia Online

Ekspertët nga Kosova dhe Serbia të mërkurën janë takuar për herë të fundit në cilësinë e grupeve punuese për targat para afatit të fundit më 21 prill.

Takimin e ka bërë të ditur përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Përmes një shkrimi në Twitter, ai tha se tani iu takon palës kosovare dhe serbe të gjejnë një marrëveshje gjatë bisedimeve.

“Me punën e tyre ata përgatitën diskutimet e kryenegociatorëve që do të mbahen nesër (e enjte). Tani i takon kryenegociatorëve të gjejnë një marrëveshje gjatë bisedimeve të tyre”, shkroi Lajçak.

Takimi i së enjtes ka për qëllim analizimin e propozimeve të grupeve punuese dhe nëse palët merren vesh, të arrijnë një zgjidhje të pranueshme për Kosovën dhe Serbinë.

Kosova kishte vendosur reciprocitetin për targat serbe më 20 shtator, masë e cila nënkuptonte që makinat me targa të Serbisë t’i zëvendësonin ato me targa provuese, të vlefshme për 60 ditë dhe që kushtonin pesë euro.

Me masë të ngjashme, makinat nga Kosova ishin përballur për një dekadë.

Ndërkaq, Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje palëve që të arrijnë kompromis për çështjen e targave.

Të ngjashme