Çështja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë ndikon në dialog

Prishtinë | 23 Mar 2022 | 08:52 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi i BE-së për Çështje të Sigurisë dhe Punëve të Jashtme, Peter Stano, ka thënë se “vendimi i Kosovës për të refuzuar propozimin konstruktiv të QUINT-it” ka qenë shkak pse nuk ka pasur marrëveshje, ndërsa sa i përket qasjes së Serbisë, ka thënë se ajo ka qenë “e hapur”.
Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje për pamundësinë që të arrihet një marrëveshje, e cila do të mundësonte zhvillimin e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës.

Dhe, bazuar në një deklaratë të zëdhënësit të BE-së për Çështje të Sigurisë dhe Punëve të Jashtme, Peter Stano, në një konferencë për media të martën në Bruksel, pa asnjë dyshim, fajin ia kanë hedhur palës kosovare, ndërsa kanë shprehur mirëkuptim për qëndrimin e Serbisë.

“BE-ja ka vepruar si lehtësues, por ka pasur kontakte edhe në nivel të lartë. Përfaqësuesi i lartë ishte i angazhuar në kontakte për të gjetur marrëveshje për zgjidhje praktike, e cila do t’u mundësonte qytetarëve me dyshtetësi të marrin pjesë në zgjedhje. Ne bëmë përpjekje të gjejmë zgjidhje praktike, duke përdorur analogjitë që ishin vendosur në votimet në të kaluarën”, ka thënë ai.

“Duke pranuar se Serbia ka qenë e hapur për gjetjen e zgjidhjes, ne shprehim keqardhje se konsensusi mes palëve në fund nuk u arrit, pas vendimit të Kosovës për ta refuzuar propozimin konstruktiv të QUINT-it”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Stano.

Për më tepër, ai e ka vlerësuar qëndrimin e Kosovës të jetë “në kundërshtim me përkushtimet e Kosovës për rrugëtim evropian dhe të ardhme demokratike, e kundër parimeve të mbrojtjes së të drejtës demokratike të të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe ata që i takojnë popullatës joshumicë”.

Në BE janë shprehur se presin që edhe Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet dhe retorika, e cila mund të rrisë tensionet dhe po ashtu u kanë bërë thirrje të dyja palëve të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në negociata, në kuadër të dialogut.

Edhe pse çështja e votimit të Serbëve në territorin e Kosovës nuk ka qenë asnjëherë pjesë e dialogut, i dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, e pati hapur mundësinë që në kuadër të dialogut të kërkohet zgjidhje edhe për këtë çështje. E kishte bërë këtë kur Kosova i kishte refuzuar votimet në territorin e saj, në referendumin për ndryshimet kushtetuese të Serbisë. Edhe atëkohë, BE-ja e kishte shprehur keqardhjen e saj.

Kësisoj, çështja e votimit të serbëve në Kosovë tashmë ka ndikuar edhe në dialog. Ajo mund të ketë qenë arsye pse këtë javë në Bruksel nuk pati takime të grupeve punuese për targat dhe nuk u konfirmua një takim që pritej të zhvillohej në nivel të kryenegociatorëve, më 24 e 25 mars në Bruksel.

Tash, burimet diplomatike në Bruksel thonë se nuk është reale të pritet ndonjë takim para zhvillimit të zgjedhjeve në Serbi.

“Po punojmë në atë drejtim dhe ftojmë të dyja palët të veprojnë me përgjegjësi, në mënyrë që të jetë e mundur të organizohet një takim i tillë”, ka thënë zëdhënësi Stano, i pyetur për mundësinë e ndonjë takimi në nivel të dialogut.

Më 3 prill, në Serbi do të mbahen zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe lokale për disa komuna.

Të ngjashme