Çfarë duhet bërë pas bojkotit të Listës Serbe ?

Prishtinë | 10 Tet 2016 | 12:24 | Nga

Partitë në koalicion nuk duhet ta lusin Listën Serbe që të qëndrojnë në qeveri. Ndryshe, ndoshta një zgjidhje tjetër e kësaj situate do të ishte shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme. Kështu vlerësojnë njohësit e kësaj fushe.

Imer Mushkolaj, konsideron se Lista Serbe, me kushtëzimet dhe veprimet e veta, po përpiqet ta sabotojë shtetin e Kosovës, sipas direktivave të Beogradit.

Sipas tij, koalicioni qeverisës deri tash ka bërë pazare me këtë subjekt politik, edhe në dëm të vendit.

 “Është koha që t’iu jepet fund veprimeve të tilla, të cilat do të dëmtonin edhe më shumë shtetësinë e Kosovës. Lista Serbe, si pjesë e koalicionit qeverisës, do të duhej të kontribuonte në ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe për një jetë më të mirë për serbët kosovarë, e jo të jetë ‘mashë’ e Beogradit për të sabotuar çdo ecje përpara”, ka thënë Mushkolaj për Telegrafin.

Gjithashtu ai vlerëson se në këtë mënyrë, Listës Serbe nuk do t’i lihet hapësirë për të manovruar sipas urdhrave të Beogradit, siç bën zakonisht.

Ndërsa, Nexhmedin Spahiu tha se pas daljes së Listës Serbe, është një argument më shumë që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme në mënyrë që të mos hapet edhe një front i ri për Kosovën, ai i konfrontimit me minoritetin serb.

Ai po ashtu tha se Kosova veç është në telashe me punën e demarkacionit, dialogut me Serbinë dhe së fundi me Listën Serbe.

 “Zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk do të zgjidhnin automatikisht këto probleme por do të hapnin një perspektive për zgjidhjen e tyre…”, vlerësoi Spahiu.

Ndryshe, deputetët e Listës Serbe kanë vendosur për ngrirje të pjesëmarrjes në punën e Kuvendit të Kosovës.

Gjithashtu, sabotim të institucioneve kanë paralajmëruar edhe ministrat serbë në Qeverinë e Kosovës.

Këta hapa të përfaqësuesve serbë në institucionet e Kosovës kanë ardhur pas miratimit të Ligjit për Trepçën nga ana e Kuvendit të Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme