Çfarë mund të ndodh nëse tentohet të formohet Asociacioni pa e pyetur Kosovën?

Prishtinë | 12 Dhj 2019 | 08:01 | Nga Ekonomia Online

Politikanët e Listës Serbe kanë kërcënuar se do të largohen nga institucionet e Kosovës në rast se Ivan Todosijeviq dënohet me 2 vite burgim për shkak të mohimit të masakrës së Reçakut.

Ata kanë paralajmëruar se do të shkaktohet kaos i madh nëse aktgjykimi bëhet i plotfuqishëm.

Madje, kryetari i kësaj Liste, Goran Rakiq ka shkuar edhe më larg duke pretenduar se do të formojnë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe pa i pyetur autoritetet e Kosovës.

“Nuk është hequr dorë nga ideja për formimin krye në veti të Bashkësisë së Komunave Serbe (ZSO) por duke u konsultuar me shtetin e Serbisë”, tha Rakiqi.

E lidhur me mundësinë dhe pasojat e një lëvizje të tillë nga ana e politikanëve serbë të Kosovës lajmi.net ka kontaktuar me njohësin e Kushtetutës, Riza Smaka.

Smaka për lajmi.net është shprehur se kjo mund të ndodh “de facto”, por jo edhe “de jure”, që sipas tij nënkupton se një hap i tillë do të ishte kundër Kushtetutës së Kosovës.

“Janë dy çështje, institucionet de jure dhe de facto, de facto janë ato që nuk kanë mbështetje juridike dhe zakonisht bëhen me dhunë dhe kështu në qoftëse do ta formonin, nuk do të kishte mbështetjen e rendit juridik të Kosovës, do të ishte në kolizion me Kushtetutën dhe Ligjin për Bashkësinë”, tha Smaka.

Më tutje, Smaka ka shtuar vërejtjen e tij se një veprim i tillë mund të jetë problematik në aspektin politik.

“Do të ishte çështje problematike në aspektin politik dhe institucionet tona do të duhej të bënin gjithçka që është e mundur të mos e lënë të funksionojë”, tha më tutje Smaka.

Ai gjithashtu është shprehur se është një provokim klasik dhe do të shkaktonte turbulenca politike të brendshme dhe të jashtme.

“Kjo çështje është e dhunës që shkon në kolizion me kushtetutshmërinë. Gjithësesi, është fjala për provokim klasik sepse gjithësesi do të shkaktonte turbulenca politike edhe të jashtme edhe të brendshme. Të jashtme sepse propaganda serbe është e ashpër dhe intensive ndërsa ajo e jona është pasive, ndërsa përbrenda çështja e realizimit dhe moslejimi i funksionimit të saj”, tha Smaka për lajmi.net.

Vlen të theksohet se mohimi i masakrës së Reçakut nga ana e politikanëve serbë ka ngjallur një polemikë të madhe midis atyre dhe politikanëve kosovarë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme