Çfarë parasheh të bëjë Qeveria Kurti gjatë qeverisjes në raport me Shqipërinë dhe politikën e jashtme

Prishtinë | 11 Maj 2021 | 20:19 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka publikuar sot programin qeverisës 2021-2025 i cili përbëhet nga 61 faqe.

Në mesin e shumë temave që Qeveria Kurti synon të merret gjatë qeverisjes së saj, është edhe politika e jashtme dhe thellimi i marrëdhënieve me Shqipërinë.

Qeveria thekson se prioritet është forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, përmes integrimit dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, përmirësimit të shërbimit të jashtëm, strategjisë së lobimit dhe promovimit diplomatik, kulturor dhe ekonomik.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do të japë me shumë energji dhe vendosmëri kontributin e saj brenda bashkësisë transatlantike të demokracive dhe shteteve ligjore. Do të paraqesim kërkesën për anëtarësim të Kosovës në BE dhe NATO si dhe do të anëtarësohemi në Kartën e Adriatikut”, thuhet në programin qeverisës.

Gjithashtu prioritet tjetër i politikës së jashtme për Qeverinë Kurti mbetet edhe zgjerimi i partneritetit me SHBA-të në aspekte të ndryshme krahas partneriteti politik, ku theksohet se do të thellohet bashkëpunimi edhe në rrafshin e sigurisë, zhvillimit ekonomik, arsimit dhe diplomacisë publike.

Lidhur me thellimin e bashkëpunimit me Shqipërinë, Qeveria Kurti ka paraparë që ky bashkëpunim të shprehet në mekanizma të përbashkët për interesin kombëtar dhe të mirën e përbashkët.

“Qeveria e Kosovës do të angazhohet për një qasje të strukturuar dhe të institucionalizuar të bashkëpunimit dhe integrimit ndër-shqiptar. Në këtë drejtim, në bashkëpunim me Qeverinë e Shqipërisë do të thellohen marrëdhëniet në fusha të ndryshme për të jetësuar marrëveshjet e arritura më parë, si: tregtia, financat, arsimi dhe shkenca, siguria, si dhe në veçanti harmonizimin e politikës së jashtme”.

Të ngjashme