Çfarë po e pengon mbajtjen e takimit Thaçi-Kurti

Prishtinë | 12 Mar 2020 | 11:17 | Nga Ekonomia Online

Zyrat e presidentit të Kosovës dhe ato të kryeministrit, ndodhen në qendër të Prishtinës, në një distancë jo më larg se 100 metra nga njëra-tjetra. Por, dy figurat politike, që sipas hierarkisë janë edhe udhëheqësit me funksionet më të larta institucionale, nuk kanë arritur të gjejnë kohë e as një vend për takim, përkundër ftesave që i kanë adresuar deri më tani njëri-tjetrit.

Të dy pajtohen se tema e diskutimit do të duhej të ishte pozicioni unik i Kosovës në politikën e jashtme, me theks të veçantë në pozicionin e Kosovës ne dialogun me Serbinë.

Mospajtimet e tyre politike, kanë nisur qysh moti, kur Kurti ishte në opozitë, ndërkaq Thaçi në pozita të larta shtetërore, qoftë si kryeministër apo si president i Kosovës. Kurse së fundmi, të dy kanë shprehur hapur mosbesim ndaj njëri-tjetrit. Thaçi e ka quajtur Kurtin “frikacak e të paaftë”. Kurse Kurti, tha të mërkurën para kuvendit se Thaçi tashmë e ka një marrëveshje të fshehtë me Serbinë.

“Unë jam i bindur që ka marrëveshje të gatshme dhe ajo çfarë po kërkohet është të thyhet Qeveria e Kosovës, të thyhem unë paraprakisht si kryeministër”, u shpreh Kurti.

Historia e ftesave Thaçi – Kurti dhe anasjelltas

Një takim prej pak më gjatë se katër minutash është zhvilluar deri më tani ndërmjet Hashim Thaçit dhe Albin Kurtit, ndonëse edhe ai takim ishte para se Kurti të merrte postin e kryeministrit të Kosovës. Bëhet fjalë për takimin, kur Thaçi e mandatoi Kurtin për postin e kryeministrit. Prej atëherë, të dy liderët kosovarë, vazhduan lojën “pingpong” me ftesa, por takime tjera nuk u realizuan.

Kryeministri Albin Kurti, ishte i pari që i kishte dërguar një ftesë për takim presidenti Thaçi, para se ai të nisej për në një vizitë në Evropë dhe më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më 13 shkurt, Kurti, përmes një letre, kishte kërkuar takim me presidentin Thaçi, për të harmonizuar qëndrimet rreth politikës së jashtme, para konferencës së sigurisë në Mynih të Gjermanisë.

Në letrën e tij, Kurti kishte shkruar se “politika e jashtme është ajo që duhet të na bashkojë”.

“Le ta japim tërë kapacitetin tonë intelektual e patriotik në prezantimet e takimet që do t’i bëjmë. Ju ftoj për sot në orën 12:00, 16:00 ose 17:30 apo edhe në mbrëmje që të takohemi e të dakordohemi së bashku për temat e për qëndrimet tona”, ishte shkruar në ftesën e Kurtit drejtuar Thaçit, më 13 shkurt.

Zyra e Presidentit, atë kohë kishte njoftuar se Thaçi kishte udhëtuar jashtë vendi. Presidenti, nuk kishte gjetur kohë ta takojë kryeministrin Kurti as para vizitës në Shtetet e Bashkuara.

Pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti Thaçi, kishte ftuar të gjithë liderët e partive politike parlamentare që të takohen dhe të flasin për një unitet rreth dialogut politik me Serbinë. Me të vetmin lider që Thaçi nuk arriti të takohej ishte kryeministri, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Një kërkesë me tri orare për realizimin e takimit gjatë ditës, Thaçi i kishte drejtuar Kurtit edhe më 11 mars. Por, ngjashëm me herët tjera, takimi nuk zhvillua.

Thaçi tha se duke mos marrë asnjë iniciativë, Kurti po tregohet “frikacak dhe i paaftë”.

“Vonesa për të marrë vendime të drejta, të prera dhe të qarta nga kryeministri nuk i ndihmon shëndetit dhe vet shtetit të Kosovës dhe natyrisht që ne nuk do të lejojmë të cenohet partneriteti strategjik me SHBA-në. Zoti Kurti po tregohet edhe frikacak edhe i paaftë, as nuk është që e heq tarifën e as nuk është që po guxon dhe po tregohet i aftë të vendosë reciprocitet”, u shpreh Thaçi.

Por, në anën tjetër, Kurti ka thënë se nuk do të takojë presidentin e Kosovës, përderisa ai e fton atë si kryetar të Vetëvendosjes dhe jo si kryeministër të Kosovës.

“Si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk kam as interes e as gatishmëri ta takoj presidentin aktual. Si kryeministër e kam obligim. Takohemi një ditë tjetër kur të mbarojë me partitë”, ka thënë Kurti.

Ndërkohë, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, nga zyra e kryeministrit është thënë se kryeministri Kurti mund të takohet me presidentin të premten pasdite.

Analistët: Thaçi e Kurti po dëmtojnë pozicionin e Kosovës

Analistët politikë, konsiderojnë se vonesat dhe mungesa e koordinimit në politikën e jashtme do të kenë pasoja për Kosovën. Analisti, Fisnik Halimi, tha për Radion Evropa e Lirë, se Kosova aktualisht ndodhet para një faze ekstremisht delikate.

“Për fat të keq partnerët tanë ndërkombëtarë janë pajtuar që Serbia duhet të shpërblehet me diçka, më shumë sesa që ka në pakon Ahtisaari. Duhet pasur parasysh se në rast të zvarritjes së konsensusit të brendshëm në Kosovë karshi politikës së jashtme dhe dialogut, pasojat do të jenë shumë të mëdha, ndërsa primitivizmat e tipit nuk ‘vij sot nuk vij nesër, të ftoj sot e nuk të ftoj nesër’, do të kenë një kosto të jashtëzakonshme për Kosovën”, tha Halimi.

Ai konsideron se ka një kohë që skena politike në Kosovës nuk po arrin as të gjejë qetësinë, as balancën e duhur që të funksionojë si një politikë e pjekur, normale dhe në funksion të shtetit.

“Ne jemi dëshmitarë që veçse jemi duke i vuajtur një palë sanksione dhe ato janë sanksionet e mosliberalizimit të vizave. Por, sanksione shumë më të ashpra se këto Kosova do të mund t’i vuajë në të ardhmen e aferët, nëse nuk arrin një pajtim se si të përfaqësohet në politikën e jashtme dhe si të koordinohet me SHBA-në”, tha Halimi.

Edhe analisti tjetër, Agon Maliqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se mungesa e koordinimit në politikën e Kosovës mund të ketë pasoja të mëdha për Kosovën dhe kjo sipas tij, shkon në favor të Serbisë.

“Mungesa e bashkërendimit ndërmjet presidenti dhe kryeministrit në fazën e ardhshme të dialogut, mund të ketë pasoja shumë të mëdha dhe se përfituese nga kjo situatë mund të jetë vetëm Serbia, meqë Kosova po del që të jetë, të paktën në sytë e SHBA-së, palë jokonstruktive dhe palë që po shfaqet si pengesë në këtë moment. Na pëlqen neve kjo apo jo, ky është perceptimi”, thotë Maliqi.

Maliqi thotë se mospajtimet ndërmjet presidencës dhe kryeministrisë janë më shumë një përpjekje për ta kthyer peshën apo rëndësinë e njëri-tjetrit në luftën dhe kontrollin e fuqisë së brendshme politike në Kosovës.

“Ky insistim i presidentit që takimi (v.j. me Kurtin) të mbahet në zyrën e tij e mos të takohet zyrën e Kurtit është më shumë një lloj lufte për territor të brendshëm sesa diçka tjetër. Njësoj edhe Kurti, po e bën një lloj përpjekje të ngjashme… Kurti e ka legjitimiteti kryesor që duhet të jetë ai personi që i prin dialogut me Serbinë. Edhe përpjekja e Kurtit është për ta shpërfillur edhe peshën, nëse jo de-jure, de-fakto të presidenti në këtë proces”, tha Maliqi.

ASHAK: Kosova s’mund të humbë mbështetjen ndërkombëtare për shkak të një klase politike të korruptuar

Nisur nga retorika politike që liderët kosovarë po përdorin për të shmangur një takim të mundshëm mes tyre në funksion të arritjes së konsensusit politik, ka reaguar edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), duke u bërë thirrje për tejkalim të mosmarrëveshjeve.

ASHAK konsideron se ata “nuk kanë asnjë të drejtë, as mandat të nëpërkëmbin shtetin e Kosovës, as të cenojnë interesat e tij”.

Përmes një shkrese të publikuar në faqen zyrtare të Akademisë, ky institucion e ka konsideruar të papranueshme vendosjen e interesave partiake mbi interesat shtetërore të Kosovës.

“Ne nuk mund ta pranojmë që Kosova të humbë mbështetjen ndërkombëtare për shkak të një klase politike të korruptuar, sikundër që nuk mund ta pranojmë që në betejën e brendshme politike ndërmjet presidentit dhe qeverisë të përdorën miqtë tanë tradicionalë dhe të pazëvendësueshëm”, ka thënë ky institucion.

“Pakkush ka besuar se klasa jonë politike me një lehtësi kaq të madhe do të shkel të gjitha parimet, do të kthejë përmbys çdo ideal dhe, për interesa meskine, do të jetë në gjendje që, herë pas here dhe gjithnjë e më shpesh, të vërë në dyshim të gjitha arritjet e Kosovës, duke e çuar atë në zgrip të ekzistencës, krejt afër zhbërjes”, thekson ne deklaratën e saj, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

“Askush nuk ka besuar dhe nuk beson se kauza populiste e një qeverie, mbijetesa politike e një presidenti, kërcënimi i Gjykatës Speciale, ose konflikti ndërmjet proveniencave të ndryshme politike dhe ideologjike mund të ketë më shumë rëndësi se vetë Kosova, sikundër që askush nuk beson se konfliktet dhe betejat tona politike kanë në prapavijë synime të larta dhe ideale të mëdha”, është thënë në deklaratë.

Vazhdimi i dialogut

Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Albin Kurti, nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, deri më tani, janë konsideruar si akterët kryesorë në procesin e dialogut me Serbinë.

SHBA-ja insiston që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë dialogun deri në arritjen e një marrëveshjeje historike paqësore. Por, paraprakisht nga Prishtina zyrtare është kërkuar që të shfuqizojë tarifën doganore ndaj Serbisë, të cilën e kishte vendosur Qeveria e kaluar e Kosovës, në nëntor të vitit 2018 dhe e cila po shihet si pengesë për vazhdimin e bisedimeve paqësore.

SHBA-ja ka marrë primatin në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, pasi procesi që zhvillohej në Bruksel me lehtësimin e Bashkimit Evropian, u ndërpre në vitin 2018.

Po me ndërmjetësimin amerikan, përkatësisht të ambasadorit Richard Grenell, muajt e fundit, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për vendosjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd, pastaj atë për hekurudha dhe autostrada.

Këto marrëveshje, i dhanë një dinamikë tjetër procesit të dialogut, por që për arritjen e një marrëveshjeje finale, Prishtinës i është kërkuar fillimisht shfuqizimi i taksës./REL/

Të ngjashme