Çfarë pret Kosova nga samiti BE-Ballkani Perëndimor?

Prishtinë | 05 Tet 2021 | 07:13 | Nga Ekonomia Online

Liderët e Bashkimit Evropian (BE) dhe kolegët e tyre nga vendet e Ballkanit Perëndimor pritet që në samitin e tyre në Bërdo afër Kranjit në Slloveni, të mërkurën, më 6 tetor, të përsërisin përkushtimin e ndërsjellë për lidhje më të ngushta.

Nga njëra anë, BE-ja pritet të përsërisë përkushtimin për perspektivë evropiane të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe po ashtu vendet e rajonit të përsërisin orientimin e tyre drejt BE-së.

Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së janë pajtuar me tekstin e draftit të deklaratës që do të miratohet në këtë samit. Në të thuhet se liderët e BE-së përshëndesin përkushtimin e partnerëve nga Ballkani Perëndimor ndaj perspektivës evropiane, që sipas këtij dokumenti, “është në interes strategjik dhe mbetet një zgjedhje e përbashkët strategjike”.

Sikur edhe në deklaratat e mëhershme nga samitet e tilla edhe kësaj radhe do të përsëriten thirrjet për respektimin e parimeve të demokracisë, sundimit të ligjit, lirisë së mediave, shoqërisë civile, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të drejtat e pakicave dhe kritereve tjera të cilat janë parime themelore të BE-së.

Ka pasur përpjekje të mëdha nga disa shtete anëtare që në deklaratë të përmendet qartë zgjerimi i BE-së. Në fund, shtetet anëtare janë pajtuar që kjo të përmendet, por krahas kësaj edhe kushti i zhvillimit të brendshëm të BE-së për të pranuar anëtarë të rinj.

“BE-ja rikonfirmon përkushtimin ndaj procesit të zgjerimit dhe vendimet në atë drejtim, bazuar në reformat kredibile të partnerëve, kushtëzimin e drejtë dhe rigoroz dhe parimet e meritave individuale. Prandaj, do të intensifikojmë më tej angazhimin tonë përpara në rajon drejt transformimit politik, social dhe ekonomik, duke njohur përparimin e arritur nga Ballkani Perëndimor. Në këtë kontekst, ne nënvizojmë rëndësinë që të sigurohet që BE-ja të ruajë dhe thellojë zhvillimin e vet, përfshirë edhe kapacitetet për të integruar anëtarë të rinj”, thuhet në versionin e fundit të draftit të deklaratës, që pritet të miratohet në Bërdo.

“Mbështetja e rritur e BE-së do të varet edhe në të ardhmen nga përparimi i prekshëm në fushën e sundimit të ligjit dhe reformave socio-ekonomike, sikur edhe nga përkushtimi i partnerëve ndaj vlerave evropiane, rregullave dhe standardeve”, thuhet në këtë draft-deklaratë.

BE-ja gjithashtu do të kërkojë nga vendet e rajonit që të vazhdojnë të përshtatin qëndrimet e tyre në politikën e jashtme me qëndrimet e përbashkëta të BE-së. Po ashtu nga liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, që në dokument përmenden si “partnerë”, kërkohet që të bëjnë më shumë për t’u shpjeguar qytetarëve rëndësinë e institucioneve evropiane dhe faktin që BE-ja pa asnjë dyshim është partnerja më e afërt, investitorja kryesore dhe donatorja më e madh e ndihmës për rajonin.

Kjo thirrje vjen për shkak se, në disa shtete të rajonit ekziston përshtypja se vendet tjera kanë ndihmuar më shumë se Bashkimi Evropian.

“Niveli i paparë i mbështetjes duhet të jetë në tërësi i dukshëm dhe i njohur nga partnerët tanë edhe në komunikimin e tyre publike”, thuhet në dokument.

Nga teksti i këtij drafti shihet po ashtu se BE-ja do të kërkojë nga vendet e rajonit që të jenë të përkushtuar ndaj fqinjësisë së mirë dhe për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura mes tyre.

“Hapat e mëtejmë të vendosur nevojiten për të forcuar pajtimin dhe stabilitetin rajonal, sikur edhe për të gjetur dhe zbatuar zgjidhje finale, përfshirëse dhe obliguese të mospajtimeve bilaterale mes partnerëve dhe çështjeve që janë të rrënjosura në trashëgiminë e së kaluarës, në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare, përfshirë edhe Marrëveshjen për suksesionin”, thuhet në mes tjerash në tekstin e këtij draft-dokumenti.

Nga ky samit, sipas të njëjtit tekst, pritet t’i shprehet mbështetje e plotë edhe përpjekjeve të të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialog Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Porosia për dialog pritet të jetë kjo: “që të ketë përparim konkret të palëve drejt normalizimit të plotë të raporteve mes tyre, që është kyçe për stabilitetin e rajonit”.

“Kjo do të siguroj që të dyja palët të mund të ecin në rrugën e tyre përkatëse evropiane”, thuhet në dokument.

Një pjesë e madhe e tekstit i kushtohet edhe ndihmës që BE-ja ka dhënë dhe do të vazhdojë të ofrojë për vendet e rajonit në luftën kundër pandemisë, sidomos përmes donacioneve për vaksinim.

“BE-ja do të mbështesë planet për vaksinim për të gjithë partnerët në mënyrë që të ndihmojë që niveli i vaksinimit të jetë i ngjajshëm me atë të BE-së deri në fund të vitit 2021”, thuhet në dokument.

Burimet e BE-së në Bruksel, duke folur me gazetarët, përfshirë atë të Radios Evropa e Lirë, në kushte anonimiteti kanë thënë se kësaj radhe nuk presin ndonjë problem në pjesëmarrje në samit nga ana e liderëve të 27 shteteve të BE-së, për shkak të Kosovës.

“Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e pesë shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën, ne kemi organizuar samitin me qasje neutrale ndaj statusit të Kosovës”, ka thënë një burim diplomatik brenda BE-së.

Në një samit të ngjashëm që ishte mbajtur në Sofje në vitin 2019, Spanja kishte refuzuar të merrte pjesë për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës.

Pavarësinë e Kosovës nuk e njohin pesë vende të BE-së: Spanja, Greqia, Qipro, Sllovakia dhe Rumania.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme