Cilat janë procedurat për pranimin në Këshillin e Europës? Kosova aplikoi sot

Prishtinë | 12 Maj 2022 | 12:36 | Nga Ekonomia Online

Kosova ka aplikuar zyrtarisht të enjten për t’u bërë anëtare e Këshillit të Europës. Ministrja e Punëve të Jashtme e dorëzoi aplikimin për anëtarësim në KE pasi në një mbledhje të jashtëzakonshme, Qeveria obligoi MPJ-në që t’i zhvillojë procedurat për anëtarësim. Më poshtë mund t’i lexoni procedurat për t’u anëtarësuar në këtë organizatë.

Ministria e Punëve të Jashtme publikoi një video të ministres Donika Gërvalla nga Strasburgu ku ajo njoftoi se nga sot fillojnë procedurat për shqyrtim të kërkesës nga ana e Këshillit, derisa tha se është optimiste që Kosova do të jetë anëtare e kësaj organizate të të drejtave të njeriut.

“Dorëzuam kërkesën për anëtarësim në Këshill të Europës. Sot hapëm një kapitull të ri për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë, e cila do të kalojë në instancat të ndryshme të Këshillit të Europës dhe Asamblesë Parlamentare dhe për fund edhe të Këshillit Ministror. Kosova është vendi më demokratik në rajon, Kosova është vendi më proeuropian në rajon dhe është vendi më optimist në rajon. Prandaj, Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Europës një ditë e më parë. Kjo procedurë që e kemi nisur sot do të përfundojë me anëtarësim të plotë të Kosovës në Këshill të Europës dhe me këtë me forcim të të drejtave të qytetarëve të Kosovës dhe qasje të tyre në instanca europiane”.

Procedurat

Këshilli i Europës është organizata më e vjetër ndërqeveritare në Europë që për qëllim kryesor ka sigurimin e bashkëpunimit dhe unitetit ndërmjet anëtarëve të saj në lëminë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Kosova tashmë aplikon një numër të konventave të Këshillit të Europës që lidhen me të drejtat e njeriut. Ky është parakushti për t’u bërë anëtare e KE-së.

Neni 3 i Statutit të Këshillit të Europës potencon se çdo shtet europian duhet t’i respektojë të drejtat themelore të njeriut, parimet e shtetit ligjor dhe të bashkëpunojnë sinqerisht dhe në mënyrë efektive në realizimin e qëllimit të Këshillit.

Neni 3 i Statutit

Çdo shtet që plotëson kushtet e Nenit 3, mund të ftohet për t’iu bashkuar kësaj organizate. Nëse Kosova synon anëtarësimin, siç theksohet në nenin 25 të KE-së, propozimin duhet ta bëjë një prej shteteve anëtare dhe propozimi për këtë duhet të futet me kohë në agjendë për mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave të Jashtëm, që mbliedhet dy herë në vit.

Në momentin e marrjes në shqyrtim të një shteti të ri si anëtar i mundshëm, para marrjes së vendimit, Këshilli i Ministrave kërkon opinionin dhe rekomandimin e Asamblesë Parlamentare, që mblidhet një herë në vit.

Asambleja Parlamentare, para se ta japë opinionin e saj, e formon një komision që mbikëqyr përputhjen e legjislacionit të shtetit që synon anëtarësimin, nëse përputhet me parimet ligjore të vetë Këshillit të Europës.

Raporti i këtij Komisioni të Asamblesë paraqet një raport para Asamblesë dhe pastaj në bazë të një raporti të tillë duhen 2/3 e votave ‘për’ në mënyrë që një shtet i ri të anëtarësohet.

Ky opinion i Asamblesë për Këshillin e Ministrave ka një rëndësi vendimtare edhe përkundër faktit se është një organ konsultativ. Në rast se me 2/3 e votave Asambleja Parlamentare voton ‘pro’, atëherë edhe Këshilli i Ministrave me 2/3 e votave duhet që të vendosë për t’i bërë ftesë për anëtarësim shtetit që aspiron anëtarësimin, në këtë rast Republikës së Kosovës.

Këshilli i Ministrave, përmes Sekretarit të Përgjithshëm, i dërgon ftesën për anëtarësim shtetit të ri dhe në ftesë përcaktohet edhe numri i delegatëve që do të përfaqësohen në Asamblenë Parlamentare, si dhe shuma e caktuar e kontributit financiar vjetor në buxhetin e përbashkët të KE-së.

Të ngjashme