Çitaku e këshillon Kurtin ta vizitojë ShBA-në e ta përfshijë në dialog: Raporti me Ramën, keqkuptim familjar

Prishtinë | 25 Jan 2022 | 17:53 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Demokraci për Zhvillim (D4D) ka organizuar sallonin e së martës me temën “Integrimi evropian dhe nismat rajonale: Komplementarë apo përjashtues me njëra-tjetrën?”, raporton Ekonomia Online.

Ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku me këtë rast tha se integrimi në Bashkimin Evropian është temë popullore, por që rrethanat kanë ndryshuar.

Sipas saj, integrimi i Kosovës në union është i vështirë për shkak se rrethanat politike në shumë vende kanë ndryshuar, duke i shtuar faktin edhe se në vend mungon konsensusi politik për këtë çështje.

“Sigurisht sot për BE-në dhe zgjerimin e BE-së nuk mund të flitet në terma të njëjtë siç është folur në vitin 2004, 2008 dhe 2014 sot është një temë tjetër. Konteksti gjeopolitik ka ndryshuar. Entuziastët nuk gjenden brenda Bashkimit Evropian, por në periferi. Në raport me Kosovën, situata komplikohet edhe më shumë sepse nuk kemi një pozicion konsecual”.

Çitaku të rëndësishme në marrëdhëniet me BE-në e vlerëson Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), ndërsa thekson se nismat rajonale dhe integrimi nuk duhet të shiheni si dy procese të ndara, por që janë paralele dhe nuk e pengojnë njëra tjetrën.

“Ne na është dashur kogja kreativitet duke shfrytëzuar instrumentet e Lisbonës që të arrijmë të nënshkruajmë MSA. Unë nuk shoh kundërshti në mes të nismave rajonale dhe procesit integrues, unë e shoh si mundësi të cilën ne mund ta shfrytëzojmë mirëpo assesi si zëvendësim për proceset e tjera integruese. Motivet për jetësimin e këtyre nismave mund të jenë të ndryshme në Bruksel e tjera në Berlin”.

“Në ngjizje të idesë së Ballkanit të Hapur ka ndodh një gabim sepse nuk janë përfshirë të gjithë, janë përfshirë vetëm tri nga  6 vendet. Elefanti i madh, pra Kosova, shpeshherë nismat rajonale e injorojnë. Problemet e Ballkanit Perëndimor janë të natyrës politike”.

Sipas saj, Kosova dhe Serbia nuk mund të normalizojnë raportet pa e përmbyllur çështjen e njohjes reciproke.

Madje ajo tha se pa përfshirjen e ShBA-së dialogu nuk mund të përmbyllet me sukses.

“Raportet ekonomike tregtare, shkëmbimet kulturore arsimore do të jenë pengë i mosmarrëveshjeve politike. Besoj se duhet të përqendrohemi aty”.

“Koha nuk punon për ne, andaj ne duhet qe të kërkojmë përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA-së. Mua më vije mirë që në javën tjetër në vizitë do të jenë Eskobar e Lajçak”.

Çitaku tha se kryeministri Albin Kurti duhet që të udhëtojë për në ShBA që ta takohet me zyrtarë atje e jo të bisedojë me ta përmes rrjeteve sociale por të përdoren kanalet zyrtare e diplomatike.

“Unë e di që ky proces nuk është si Big Brother. E di që ky proces kërkon pak diskrecion. Kryeministri këtu e ka mirëkuptimin tonë. Pala kosovare duhet ta ketë të qartë se bashkëbisedues parësor nuk e kemi Beogradin, por e kemi Brukselin dhe Uashingtonin. Kurti urgjentisht duhet të udhëtoj në Uashington dhe të takohet me zyrtaret e lartë të administratës Biden”.

Kur foli për mospajtimet ndërmjet dy kryeministrave shqiptar, Kurti e Rama, ajo tha se mosmarrëveshje janë kalimtare dhe se interesat e dy vendeve janë më të mëdha se udhëheqësit momental të tyre.

Madje ajo raportin e tyre e ka krahasuar me keqkuptimet që ndodhin edhe brenda një familje, raporton EO.

“Unë nuk besoj që kryeministri Kurti e Rama e shohin njëri-tjetrin si fqinjë të rëndomtë. Ne nuk jemi fqinjë, relacioni mes nesh është shumë më i madh. E kemi një relacion emocional që shkon përtej politikave ditore”.

“Herë kemi më shumë ne faj herë kanë më shumë ata. Edhe brenda familjes ka keqkuptime, shoqëritë tona tashmë janë shumë të integruara”.

“Unë shoh kriza të kohëpaskohshme, ne kemi shumë gjëra që bëjnë bashkë. Këto janë shumë më të mëdha se qasja ditore. Kosova është shumë më e madhe se Albin Kurti, Shqipëria është shumë më e madhe se Edi Rama”.

Mirlind Behluli nga instituti EdGuard, tha se nismat rajonale dhe proceset integruese janë të pandashme.

“Kur flasim për nismat rajonale shënojmë dy nisma të mëdha është procesi i Berlinit dhe Open Ballakn”.

Deita Sylejmani  nga PIPS tha se integrimi evropian është një proces që po tejzgjatet.

“Është një ndërlidhje shumë e ngushtë mes integrimit evropian edhe organizatave rajonalë që stimulojmë raportet tona si ekonomike e politike mes neve për me pas një facilitim të rrugës tonë. Këto iniciativa janë vitale, si procesi i Berlinit apo i CEFTA-s”.

Sylejmani tha ajo që ka marrë vëmendje të jashtëzakonshme është nisma Ballkani i Hapur, me idenë e një tregu të përbashkët ballkanik.

“Kjo si ide daton në vitin 2017 ku presidenti serb Vuçiq e jep idenë e unionit doganor. Në vitin 2019 kjo ide ripërtërihet me emrin mini-shengen. E shohim që vetë emri i kësaj iniciative nuk korrespondon me idenë se qysh kishte me funksionuar. Pra BE-ja e zëvendëson idenë e mini-shengenit me idenë e tregut rajonal”.

Të ngjashme