Çitaku: Kosova ta shfrytëzojë sinkronizimin e ShBA-së dhe BE-së për anëtarësim në KE

Prishtinë | 18 Mar 2022 | 18:29 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se zhvillimet në Ukrainë e kanë ndryshuar në mënyrë drastike qasjen e aleatëve euro-atlantikë karshi vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kjo është edhe arsyeja pse, sipas saj, Kosova duhet ta shfrytëzojë momentumin kur BE-ja dhe ShBA-ja kanë qëndrim unik, duke shtuar se qeveria duhet të bëjë më shumë në këtë drejtim.

“Ka sigurisht dekada prej kur BE-ja dhe ShBA-ja nuk kanë qenë kaq shumë të sinkronizuara dhe në unison. Ky unitet i miqve të Kosovës, botës euroatlantike, duhet të shfrytëzohet nga ana e institucioneve të Kosovës për të fuqizuar edhe më tej subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës”.

“Unë do të doja të shoh edhe më shumë. Ne si opozitë mbase edhe nuk i dimë të gjitha detajet dhe unë nga përvoja ime e di se diplomacia kërkon një shkallë të diskrecionit dhe jo çdo punë bëhet publike, megjithatë do të doja të shihja më shumë punë, angazhim dhe seriozitet”.

Numri dy i PDK-së ka deklaruar, në “Info Magazine” të Klan Kosovës, se mundësia më reale e Kosovës është anëtarësimi në Këshillin e Evropës, pas largimit të Rusisë.

“Aty tash e disa vite kemi shumicën e nevojshme, për dallim nga NATO dhe BE në Këshillin e Evropës nuk kërkohet konsensus dhe nuk ka të drejtë vetoje askush. Kërkohet një shumicë të cilën Kosova tash e shumë vite e ka, mirëpo kanë qenë vet aleatët tanë të cilët na kanë këshilluar që të mos shkojmë më tutje me aplikim. Tani kur Rusia është larguar nga ky mekanizëm i rëndësishëm ndërkombëtar i cili në fund fare nuk është vetëm trupë prestigjioze, por i ofron edhe qytetarit të Kosovës dhe dobitë do të ishin të shumëfishta unë shpresoj që qeveria të veprojë shpejt në koordinim me aleatët dhe të jetësojmë këtë projekt jashtëzakonisht kaq të rëndësishëm”.

Të ngjashme