Çitaku: Qytetarët në luftë për ekzistencë, Albin Kurti kalon 45 ditë jashtë vendit në 100 ditët e fundit

Prishtinë | 13 Kor 2022 | 15:08 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të rikthehet në Kosovë dhe të merret me shqetësimet dhe problemet e qytetarëve, të cilët sot janë në luftë për ekzistencë, raporton Ekonomia Online.

Çitaku ka thënë se në krizën më të madhe ekonomike të Kosovës, Kryeministri Albin Kurti i ka kaluar 45 ditë jashtë vendit në 100 ditët e fundit, pa arritur asnjë rezultat.

“Në këtë kohë kur shumica e familjeve kosovare po ballafaqohen me krizën më të madhe ekonomike, me rritjen enorme të çmimeve të produkteve bazike për jetesë, kryeministri i vendit i cili do të duhej të ndërmerrte hapa për tejkalimin e krizës, ka zgjedhur që të ikë nga Kosova e të kalojë kohë nëpër vizita, të cilat thënë më së buti, do të mund të quheshin studimore”, ka thënë Çitaku.

Nënkryetarja e PDK-së ka thënë se Kryeministri Albin Kurti nuk po qeverisë me vendin – përkundrazi, ai po ikë prej përgjegjësisë që e ka marrë nga votën e qytetarëve.

“Nga njoftimet publike të qeverisë, vetëm gjatë tre muajve të fundit, kryeministri Kurti ka qëndruar 45 ditë jashtë Kosovës, por, pa sjell asnjë sukses të vetëm nga këto vizita të stërzgjatura dhe tërësisht atipike për një Kryeministër në detyrë. Gjysmën e kohës në 100 ditët e fundit, kryeministri Kurti e ka kaluar jashtë Kosovës”, ka shtuar nënkryetarja Çitaku.

Kryeministri Kurti edhe mandatin qeverisës e ka nisur jashtë Kosovës, duke bërë fushatë zgjedhore në Shqipëri.

Sipas Çitakut, kjo është një zgjedhje që Kryeministri Kurti e ka bërë nga fillimi i mandatit e deri sot – duke abstenuar nga qeverisja dhe ballafaqimi me sfidat dhe problemet e qytetarëve.

“Në këtë periudhë kohore, qytetarët e braktisur nga qeveria, me rritje enorme të çmimeve, me energji deri trefish të shtrenjtuar, me inflacion prej mbi 14 përqind, zgjidhjen po e shohin ikjen nga Kosova”, ka thënë nënkryetarja e PDK-së.

Më tej, ajo ka shtuar se ishin alarmante shifrat e publikuara ditë më parë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës ku 42 mijë qytetarë tanë kishin lënë Kosovën vetëm vitin e kaluar. Ndërsa, mijëra të tjerë presin çdo ditë para ambasadave për të caktuar terminet e tyre për vizë pune jashtë Kosovës.

“Qytetarët e Kosovës e kanë votuar Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen më 14 shkurt duke besuar në premtimet e tyre. Por, ajo çka po shohin është se inflacion më të madh se çmimet, kanë pësuar vet premtimet e Kryeministrit”, ka thënë ajo.

Tutje, Çitaku ka potencuar edhe shqetësimet e Kryetarëve të Komunave të Kosovës, të cilët pa dallim partie po ankohen se kjo qeveri i ka bllokuar të gjitha projektet, duke mos ndarë buxhet për realizimin e projekteve komunale.

“E ka bllokuar për muaj të tërë OSHP-në dhe kësisoj, i ka bllokuar të gjitha investimet kapitale anekënd Kosovës. Në vend që të ndërmerr vendime që i përkasin kompetencave qeveritare duke hequr TVSH-në dhe akcizën, kryeministri Kurti po merr vendime arbitrare në fushën e ekonomisë duke ndërhyrë në caktimin e çmimeve“, ka thënë Çitaku.

Në fund, Çitaku ka thënë se krahas papërgjegjësisë totale në qeverisjen e brendshme, qeveria aktuale po tregohet tërësisht jotransparente edhe për procesin e dialogut.

“Nga ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian dëgjuam se qenkan gati 4 marrëveshje të reja. Ne kërkojmë të njoftohemi nga Kryeministri në abstenim Kurti, ose nga Kryeministri faktik Bislimi, se cilat janë këto marrëveshje? Për çka bëhet fjalë. Dialogu me Serbine nuk guxon të degradojë në noterizim të marrëveshjeve teknike paraprake, duke lënë në margjina, e jo në qendër, njohjen reciproke”, ka përfunduar nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

Të ngjashme