Çka thanë Kurti e Konjufca për Kushtetutat e Kosovës dhe Serbisë

Prishtinë | 17 Sht 2021 | 17:13 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar sot rreth deklaratës së kryeparlamentarit Glauk Konjufca, i cili në Rubikonin e së enjtes që e lëmë pas u pyet nga Adriatik Kelmendi, ”Nëse mund të arrihej marrëveshja përfundimtare me Serbinë, pa u prekur fare Kushtetuta e Republikës së Kosovës?”.

”Unë mendoj se kjo [marrëveshje përfundimtare pa u prekur Kushtetuta e Kosovës] do të ishte opsioni më i mirë për Kosovën, por nuk jam shumë optimist që kjo do të arrihet”, është shprehur Konjufca në Klan Kosova.

Megjithatë lidhur me këtë shefi i qeverisë Albin Kurti, pohoi sot se deklarata e kryeparlamentarit Glauk Konjufca, duhet mirëkuptuar.

”Njohja reciproke është thelbi. Përderisa nuk ka kurfar gatishmërie për njohje reciproke dhe përderisa deklarohet në Beograd se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën, natyrisht që të gjithë kemi mirëkuptim për deklaratën e Kryetarit të Kuvendit [Glauk Konjufca], por besoj që i takon faktorëve ndërkombëtarë, por edhe demokratëve e liridashësve në Serbi që ta ndryshojnë këtë qëndrim i cili është edhe më i vjetër sesa është kushtetuta e vjetër e Serbisë”.

Qëndrimi i kryeministrit Kurti qe që Serbia është ajo që duhet ndryshuar kushtetutën e saj siç e quajti të vjetruar.

”Për marrëveshjen gjithëpërfshirëse, e cila duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke, natyrisht që kërkohet ndryshimi i qëndrimit të Serbisë, edhe sa i përket deklarimeve të tyre publike, por edhe sa i përket kushtetutës së tyre”.

”Serbia e ka një kushtetutë të vjetruar nga viti 2006, e kohës së [Vojislav] Koshtunicës, para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, e cila duhet të ndryshohet. Për normalizimin e marrëdhënieve, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pakrahasimisht, më shumë duhet të ndryshojë Serbia, dhe në fakt Kosova do të mund të ndryshojë qëndrimin karshi një Serbie tashmë të ndryshuar”, theksoi Kurti.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca të enjten në Rubikon përballë Adriatik Kelmendit, shpjegoi dhe disa arsye, për qëndrimin e tij siç e quan pesimist, rreth çështjes së njohjes pa u prekur Kushtetuta e Kosovës.

”Përse nuk jam optimist? Pesimizmi im ka të bëjë me përmbajtjen e pushtetit në Serbi, çfarë natyre ka qeveria e Serbisë dhe le të themi koalicioni qeverisës atje, pra ai dominohet totalisht nga një forcë politike e cila rrënjët e saj politiko-ideologjike i ka në hegjemonizmin serb i cili ndoshta në momente të caktuara historike e ka përjetuar ndonjë modifikim dytësor, por orientimin esencial që një shekull e gjysmë, së paku prej Kongresit të Berlinit, e ka të njëjtë për të realizuar atë që e tha [Aleksandar] Vulini e të cilin e mbështeti [Aleksandar] Vuçiqi para rreth një muaji – krijimin e botës serbe. Kjo i bie politikisht përfshirja e çdo serbi brenda një shteti serb që i bie së paku shkatërrimi i Malit të Zi si shtet, Kosovës si shtet dhe Bosnjes si shtet”.

Të ngjashme