COVID-19 në Qeveri, mbi 150 zyrtarë të ministrive janë infektuar nga fillimi i pandemisë

Prishtinë | 16 Kor 2020 | 18:28 | Nga Ekonomia Online

Rreth 150 zyrtarë të ministrive janë infektuar me koronavirus që nga fillimi i pandemisë. Shumica janë në gjendje stabile dhe gjenden në vetizolim nëpër shtëpitë e tyre, derisa me numrin më të madh të të infektuarve prin Ministria e Punëve të Brendshme.

Koronavirusi ka prekur një numër të madh të zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe agjencive që funksionojnë në kuadër të MPB’së. Nga fillimi i pandemisë e deri tash, janë infektuar mbi 100 zyrtarë.

Shumica e tyre janë zyrtarë policorë, derisa ka të infektuar edhe në kabinetin e Ministrit Agim Veliu.

Detaje rreth gjendjes së tyre ka dhënë Zyra për Informim në MPB. Sipas këtij institucioni, gjendja e të infektuarve është stabile.

“Deri me sot në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Agjencitë e MPB-së, gjithsej janë të infektuar 104 zyrtarë me Covid -19, ku nga ta 20 zyrtar janë nga stafi civil, 4 zyrtarë nga kabineti i ministrit si dhe 80 janë zyrtarë policor. Sipas raportimeve gjendja e tyre është stabile ku të gjithë të infektuarit janë të vetë izoluar në shtëpitë e tyre, në përjashtim të 6 zyrtarëve policor që gjenden në spital për trajtim”, thuhet në përgjigjet e MPB-së.

Sipas MPB’së, zyrtarët e tjerë të cilët kanë pasur kontakt me të infektuarit, gjenden në vetizolim, por nuk kanë ndonjë simptomë.

“MPB është e informuar se gjendja e tyre është stabile për momentin. Po ashtu, disa zyrtarë të cilët janë raste të kontaktit me persona e infektuar me COVID-19, janë në vetë izolim por pa simptome. Ju njoftojmë që MPB është duke punuar me staf esencial sipas rekomandimeve të IKSHPK-së”, kanë deklaruar nga ky institucion.

Raste me COVID-19 ka edhe brenda Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.

Nga ish Ministria e Zhvillimit Ekonomik kanë rezultuar pozitivë për koronavirus nëntë zyrtarë, derisa dy raste të tjera janë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Në bazë të konfirmimit nga Departamenti i Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme / Divizioni i Burimeve Njerëzore, ju njoftojmë se në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, ish Ministria e Zhvillimit Ekonomik janë konfirmuar 9 raste pozitive me Covid-19 ndërsa nga ish Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, deri më tani kemi 2 ( dy) zyrtarë të cilët kanë rezultuar pozitiv me Covid 19”, kanë deklaruar nga MEA për Express.

Në kërë institucion kanë thënë se gjendja e të prekurve me koronavirus është stabile dhe se deri në testimin e tyre me rezultat negative nuk do të kthehen në punë.

E për ta ulur mundësinë e përhapjes së virusit, puna në këtë ministri po zhvillohet me ndërrime.

“Hapësirat e ministrive janë dezinfektuar dhe kontrolli për bartje të mjeteve mbrojtëse është i lartë (në hyrje të ministrive). Të gjithë të prekurit me COVID-19 janë duke marrë trajtimin e duhur, gjendja e tyre është stabile dhe deri në testimin e tyre me rezultat NEGATIV nuk do të kthehen në punë. Gjithashtu, duhet cekur se puna tashmë po zhvillohet me ndërrime, për të ulur mundësinë e përhapjes së virusit COVID-19”, thuhet në përgjigjet e ministrisëë.

Raste me COVID-19 janë regjistruar edhe në Ministrinë e Financave.

Zëdhënësi i MF’së, Muharrem Shahini i ka thënë Gazetës Express se deri tash janë infektuar katër zyrtarë.

“Në Ministrinë e Financave pa ATK-në dhe Doganën janë 4 raste të infektuara me COVID-19, ku një rast është shëruar dhe 3 raste tjera janë aktive dhe gjendja e tyre shëndetësore është stabile ( me trajtim mjekësor në shtëpi)”, ka deklaruar Shahini.

Koronavirusi ka depërtuarë edhe në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Nga fillimi i pandemisë e deri tash, tre zyrtarë të kësaj ministrie kanë rezultuar pozitivë.

Gjendja e tyre thuhet të jetë e mirë për momentin.

“Bazuar në të dhënat që disponon MPMS, deri më tani si pasojë e përhapjes së pandemisë Covid-19, në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, janë infektuar 3 (tre) zyrtarë (shërbyes civilë). Gjendja e tyre shëndetësore për momentin është e mirë. Ata po qëndrojnë në shtëpi duke respektuar rekomandimet e institucioneve shëndetësore për parandalimin e përhapjes së Covid-19, si dhe vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, kanë deklaruar nga MPMS’ja.

Me COVID-19 janë infektuar edhe disa zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë. Sipas Zyrës për Informim në këtë ministri, nga fillimi i pandemisë janë paraqitur tri raste.

Deklarojnmë se pas pranimit të njoftimeve për zyrtarët që kanë rezultuar pozitivë, është organizuar testimi i zyrtarëve të kontaktit, por që kanë rezultuar negativë.

“Nga fillimi i paraqitjeve të rasteve me COVID 19 në Kosovë, ju njoftojmë se në Ministrinë e Drejtësisë janë paraqitur tri (3) raste të zyrtarëve të cilët kanë rezultuar pozitiv me Covid -19. Pas pranimit të njoftimeve për zyrtarët të cilët kanë rezultuar pozitiv me Covid-19, Ministria e Drejtësisë ka organizuar testimin e zyrtarëve të kontaktit dhe të gjithë kanë rezultuar negativ, ndërsa të tjerët të cilët nuk janë testuar janë vet izoluar duke respektuar rekomandimet e IKSHPK-së”, kanë thënë në MD.

Aktualisht, në këtë ministri janë dy zyrtarë me Covid-19 duke u trajtuar në shtëpi dhe sipas informacioneve të MD’së, gjendja e tyre shëndetësore është stabile.

“Ministria e Drejtësisë ju njofton se në përputhje me Qarkoren për menaxhimin e situatës epidemiologjike duke u bazuar në vendimet e Qeverisë së Kosovës, janë ndërmarrë të gjitha masat parandaluese si : vendosja e pamfleteve vetdijësuese për mbrojtje nga Covid-19, krijimi i kushteve për distancë, bartja e maskave, masat higjienike si dhe planifikimi i punëve në dikasteret përkatëse përmes sistemit rotativ të punës mes zyrtarëve”, thuhet në përgjigjet drejtuar Gazetës Express.

Zyrtarë të infektuar me koronavirus ka edhe në Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Tregtisë dhe Industrisë.

Në Ministrinë e Mbrojtjes kanë deklaruar se aktualisht e kanë vetëm një rast aktiv me COVID-19.

Zv. Drejtori i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun, Koloneli Sefer Isufi i ka thënë Gazetës Express se shtatë zyrtarë të tjerë gjenden në vetizolim për shkak të dyshimit se kanë pasur kontakt me të infektuarit.

“Në Ministrinë e Mbrojtjes aktualisht kemi vetëm një rast pozitiv me COVID-19 dhe 7 zyrtarë tjerë janë në vet-izolim për shkak të dyshimit të kontaktit me persona të prekur nga COVID-19. Gjendja shëndetësore e zyrtares sonë është e mirë dhe është duke respektuar masat e përcaktuara anti-COVID”, ka thënë Isufi.

Edhe në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë është vetëm një zyrtar i prekur me COVID-19, derisa rreth 10 të tjerë që kanë pasur kontakt janë në vetizolim.

“Deri më tani zyrtarisht vetëm një zyrtar në MTI ka rezultuar pozitiv, rreth 10 zyrtar kanë njoftuar përmes emaili se kanë pasur kontakt me zyrtarin dhe janë vetë izoluar për 14 ditë”, kanë deklaruar nga MTI’ja.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se janë konfirmuar edhe 132 raste të reja me koronavirus prej 486 mostrave sa janë testuar. Përveç për rastet e reja, IKSHP’ja ka njoftuar edhe për shërimin e 83 pacientëve, raporton Express.

Me këtë shifër, numri total i rasteve të konfirmuara në gjithë vendin nga fillimi i pandemisë ka arritur në 5 mijë e 369, me gjithsej 118 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Të ngjashme