Daci: PAN-i ta formojë Qeverinë, LDK-ja të reflektojë

Prishtinë | 19 Qer 2017 | 20:10 | Nga

Formimi i qeverisë duhet të bëhet sa më shpejt që është e mundur, ka thënë ish- kryeparlamentari Nexhat Daci.

Ai në një intervistë për RTK-në ka theksuar se në këto momente duhet të lihen inatet politike dhe se qeveria duhet të bëhet nga ata të cilët janë të formuar personalisht, profesionalisht dhe institucionalisht ngase Kosovën e presin procese mjaft sfiduese.

Sipas tij, për t`i tejkaluar këto sfida duhen njerëzit e dëshmuar në luftë e në paqe. Daci ka thënë se LDK-ja duhet të reflektojë siç ka bërë presidenti Rugova në vitin 2004 që vendi të shkojë drejt Evropës e jo të stagnojë për shkak të inateve dhe egove politike.

Ish-kryeparlamentari Nexhat Daci, tha se çdo vonesë në krijim të institucioneve është jashtëzakonisht e papërgjegjshme nga cilido individ ose grupim politik.

Sipas Dacit, formimin e qeverisë së re duhet ta bëjnë fituesit e zgjedhjeve. Ai theksoi se koalicioni fitues e ka një strukturë të njerëzve që kanë vullnet dhe përvojë që në rrethanat që është Kosova, e japin kontributin e duhur.

“Dy prej tyre që po i potencoj që kanë kaluar rrugën e duhur ,rrugë shumë të vështira në luftë,kanë qenë komandantët më të dalluar dhe në paqe kanë qenë shumë konkret në politikë, dhe besimi im kësaj radhe për këtë kohë do të shkonte dhe do t`i propozoja opinionit qe kësaj radhe Kosovës i duhet një mekanizëm i vendosur në mbrojtje të sovranitetit dhe të integritetit territorial të Kosovës. Të gjitha të tjerat janë modalitete ose në fazën e mëvonshme ose gjatë qeverisjes mund të plotësohen por rezultati nuk e mundëson lehtë këtë fillim”, tha ai.

Inatet politike duhet të lihen anash ,duhet marrë shembull presidentin Rugova kur unë kam qenë ai që kryeministrin ia kemi dhënë PDK-së me 49 vota, asnjë problem për formimin e qeverisë,unë kam ngulë këmbë për hir të mos zhvillimit të luftës që e parashiheshin ndërkombëtarët në Kosovë prapë vëllavrasje, kam kontribuar dhe rrezikuar krejt autoritetin tim dhe kemi dalë faqebardhë me Bajram Rexhepin si kryeministër”.

Daci edhe Vetëvendosjen e sheh si vlerë, por për një periudhë tjetër kohore.

“Kosova e ka kohën më shumë se kurrë të mendojë me mendje ,dikush thotë me shpirt të votohet,unë them të votojnë me mendje, t`i krijojmë institucionet ,të mos humbim kohë, institucionet të cilat kanë energji,kanë përvojë dhe kanë dije. Mesazhi im ishte shumë i qartë ,një qeveri e cila bluan 24 orë si makineri e fuqishme, dhe në luftë e kanë treguar dhe mençurinë e tyre”, tha ai për RTK.

Ish-kryeparlamentari shpreson se me kohe do të formohen institucionet dhe të vazhdojnë angazhimet për të mirën e qytetarëve. Ai ka thënë se Kosova duhet të punojë për zhvillim ekonomik dhe integrime evropiane.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme