Daçiq – Haradinajt: Nuk ka kufi në mes të Serbisë dhe Kosovës

Prishtinë | 23 Gus 2018 | 11:26 | Nga

Ministri i jashtëm serb Ivica Daçiq ka deklaruar se në mes të Serbisë qendrore dhe Kosovës nuk ka kufi, por vijë administrative dhe se nuk mund të ketë demarkacion.

Kryediplomati serb kësisoj ka komentuar kërkesën e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj për fillimin e punës për shënimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Daçiq i tha TV Prva se Kosova nuk po ndjek atë që po ndodh në skenën politike ndërkombëtare.

”Ata festuan ditëlindjen e ish-presidentit amerikan Bill Clinton, mendoj se vetëm në shtëpinë e tij ende shënohet. Kosova është një trillim që nuk ekziston në pjesën reale të publikut politik ndërkombëtar”, tha ai, transmeton Klan Kosova.

I pyetur për pozitën e Rusisë në lidhje me demarkacionin me shqiptarët, ministri serb ka thënë se Serbia ka mbështetjen më të madhe nga Rusia, se s’do të vijë me ide dhe të hyjë në negociata pa mbështetjen e këtij vendi dhe se Rusia do ta mbështesë çdo propozim në interes të Serbisë.

Shefi i diplomacisë serbe potencoi se dialogu me Prishtinën në fillim, nuk shkoi aq larg dhe se nuk kishte filluar me temën e demarkacionit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme