Daka kërkon reforma zgjedhore dhe rregullim të çështjes së votimit jashtë Kosovës

Prishtinë | 15 Maj 2018 | 14:50 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Reforma zgjedhore duhet të bëhet sa më shpejt në mënyrë që procesi i zgjedhjeve të jetë më i lehtë dhe me sa më pak probleme. Kështu tha kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, gjatë raportimit në Komisionin për Legjislacion lidhur me punën e institucionit që ajo drejton.

Daka më tutje tha se votimi jashtë Kosovës dhe lista e kandidatëve janë vetëm disa nga sfidat me të cilat KQZ përballet, raporton Ekonomia Online.

“Zgjedhjet e jashtëzakonshne gjithmonë janë sfidë. Ne jemi ballafaqu për herë të parë me disa sfida të cilat nuk i kemi pasë në zgjedhjet e kaluara. Është fjala për decertifikimin e disa kandidatëve për shkak të aktgjykimeve dhe kemi pasë disa çështje të tjera që nuk na u kanë shfaqë asnjëherë”.

“Ajo ka qenë nga kandidatët e listës joshumicë e në listat e këtyre kandidatëve ka pasë përfaqësues që kanë përfaqësu shumicën”.

Daka tha se KQZ-ja ka organizuar zgjedhje për 30 ditë, e jo për 4 e deri në 6 muaj.

Valdete Daka tregoi për problemet që ka shkaktuar votimi jashtë Kosovës. Ajo bëri thirrje që sa më parë të ketë reformë zgjedhore e të rregullohet çështja e votimit jashtë Kosovës, raporton EO.

“Kryesisht të njëjtat sfidat që i kemi pasë në zgjedhjet parlamentare, i kemi pasë edhe në zgjedhjet lokale. Përsëri e kemi të njëjtën problem deri a të mos rregullohet ky proces, qoftë të hiqet votimi jashtë Kosovës për zgjedhjet lokale..apo të gjendet një zgjidhje që e bën më efikase”.

Kryetarja e komisionit për legjislacion, Albulena Haxhiu tha se është e paprecedent nga presidenti që KQZ për më shumë se dy muaj është jofunksionale.

“Besoj që nuk është problemi te të interesuarit, por për shkak të procedurave burokratike mendoj që mënyra më e mirë do të ishte që të bëhen në ambasada”.

Anëtari i komisionit nga radhët e Nismës SocialDemokrate, Bilall Sherifi, në mbledhjen e komisionit është ankuar për devijim të diskutimit, raporton EO.

Sipas tij, në këtë mbledhje do të duhej të diskutohej për raportin e KQZ-së, jo për reformën zgjedhore.

“Sistemi zgjedhor i joni më së paku e prish të gjithë ata që nuk janë pjesë e partive politike. Fakti që ne e kemi tërësisht të partizuar komsionin e zgjedhur, gjithçka është partiake. Nëse shkon mirë, meritat i kanë partitë politike, nëse shkon keq fajin e kanë partitë politike”.

Deputeti Korab Sejdiu është interesuar lidhur me listën e votuesve se çfarë ka bërë e çfarë ka në plan të bëjë KQZ-ja.

“Çështja e listave të votuesve, çfarë jeni duke bërë dhe a jeni duke bërë presion tek organet kompetente për me adresu këtë problem”.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, gjatë përgjigjes në pyetjet e deputetëve tha se çështja e listës së votuesve duhet të zgjidhet pasi  në ato lista ka persona me letërnjoftime të UNMIK-ut nuk dihet a janë ende në Kosovë a jo.

“Në atë listë votuese kemi njerëz që janë nga diaspora që janë në listë por që nuk votojnë. Jemi njerëz që janë në letërnjoftime të UNMIK-ut, në fakt në letërnjoftime të skaduara. Kjo mundet me u zgjidh me pak përkushtim nga Ministria e Administratës Publike”.

Të ngjashme