Daka pas vendimit të Kushtetueses: U vërtetua çka ne vendosëm, përshpejtohet shpallja e rezultateve

Prishtinë | 11 Dhj 2020 | 10:38 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, në një intervistë për Ekonomia Online një ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtuese për ankesën e NISMA-AKR-PD-së, tha se me këtë rast është vërtetuar vendimi që ka marrë institucioni që ajo drejton.

Këto tri parti ishin ankuar ndaj vendimeve të Gjykatës Supreme për të numëruar votat nga jashtë në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, ndonëse ato kishin ardhur jashtë afatit të përcaktuar ligjor.

Daka tha se është zgjidhur një dilemë e cila u ka shkaktuar kokëçarje. Sipas saj, KQZ-ja ka pas qëndrim se votat të cilat vijnë nga jashtë, duhet të jenë në Kosovë 24 orë paradites së zgjedhjeve, kjo e përcaktuar edhe me ligjet në fuqi.

“Jam e lumtur se na është zgjidhur  një dilemë, e cila është ngrit gjatë zgjedhjeve të vitit 2019, dhe e cila na ka shkaktuar shumë kokëçarje dhe në fakt ka dalë që ajo që ka aplikuar KQZ-ja ka qenë e drejtë. Jam e lumtur që është vërtetuar ajo që ne e kemi aplikuar”.

“KQZ-ja ka pas qëndrim se votat të cilat vinë nga jashtë Kosovës, duhet të vijnë 24 orë para ditës së zgjedhjeve. Pra ashtu siç e parasheh edhe Ligji për zgjedhje të përgjithshme dhe tani del që kjo edhe u vërtetua edhe nga Gjykata Kushtetuese”.

Daka ka sqaruar se pas këtij vendimi do të shkurtohet edhe koha e shpalljes së rezultanteve, raporton EO.

“Po kjo është mirë sepse do të na shkurtojë kohën e shpalljes së rezultateve, sepse sipas praktikës së vitit 2019 na është dashur që të presim votat që na kanë ardhur nga diaspora edhe pas ditës së zgjedhjeve”.

Për këtë ankesë fillimisht Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), më 3 nëntor, kishte vendosur se pakot me vota të arritura jashtë afatit të caktuar me ligj, 24 orë nga dita e zgjedhjeve, nuk duhet numëruar.

Por, Supremja kishte vendosur në dy raste për numërimin e pakove të votave nga jashtë. Më 5 nëntor Gjykata Supreme kishte vendosur në favor të ankesës së LVV-së për numërimin e 1806 pakove të fletëvotimeve të ardhura me postë pas datës 5 tetor. Kishte rikonfirmuar vendimin e marrë më 30 tetor të atij viti.

NISMA-AKR-PD, që arritën të kalojnë pragun dhe të bëhen pjesë e Kuvendit, kishin dërguar lëndën në Gjykatën Kushtetuese. Kushtetuesja të enjten ka vendosur se aktgjykimet e Supremes më 30 tetor dhe 5 nëntor, nuk janë në përputhje me nenin 3 të protokollit nr .1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me nenin 45 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kushtetuesja po ashtu ka konstatuar se vendimet e PZAP-së më 3 nëntor, ishin në përputhshmëri me nenin 3 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me nenin 45 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Të ngjashme