Daka: Po ndihem e kërcënuar, shkurt e shqip ligji e Kushtetuesja ua pamundëson kandidimin të dënuarve

Prishtinë | 21 Jan 2021 | 12:07 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryerja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, tha se akuzat e partive politike, në adresë të KQZ-së dhe në adresë të saj, janë ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e këtij institucionit, raporton Ekonomia Online.

Daka në një konferencë për medie, duke folur për pretendimet e partive politike së ky institucion është fajtor që kandidatët e tyre për deputetë s’do tu lejohet pjesëmarrja në zgjedhje ngase janë të dënuar në 3 vjetët e fundit, shtoi se krejt kjo po bëhet për ta pamundësuar zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. 

Madje ajo ka thënë se kërcënimet publike që po përjeton ajo dhe familja e saj janë të paprecedentë dhe të rrezikshme.

Daka pati një porosi për të gjithë kandidatët për ata që e kanë parë veten në listën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës si persona që nuk plotësojnë kriterin për t’u certifikuar si kandidat për deputetë.

Ajo i ka porositur këta të fundit se “shkurt, shqip dhe qartë: Është ligji dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që ua pamundëson kandidimin dhe jo unë”.

“Akuzat e partive politike, në adresë të KQZ-së dhe në adresë time personalisht, janë ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e institucionit, për ta pamundësuar zbatimin e Kushtetutës dhe Ligjeve në fuqi.   Kërcënimet publike ndaj meje dhe shqetësimet që po i përjeton familja ime – janë të paprecedenta dhe të rrezikshme”. 

“Të gjithë kandidatët që dje e kanë parë vetën në listën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës si persona që nuk plotësojnë kriterin për t’u certifikuar si kandidat për deputetë, do t’iu them vetëm dy fjalë, shkurt, shqip dhe qartë: Është ligji dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që ua pamundëson kandidimin dhe jo unë”.

15 nga 28 subjektet politike që kanë aplikuar për certifikim kanë kandidatë të cilët nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

47 kandidatë që janë pjesë e listave zgjedhore janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vjetët e fundit.

Kjo pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka pranuar përgjigjet nga: Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa; Këshilli Gjyqësor i Kosovës; Ministria e Punëve të Jashtme dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, lidhur me verifikimin e listave të kandidatëve për deputetë.

Fjalimi i plotë:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Nuk do të kisha dashur asnjëherë që të mbaj konferencë për media për të mbrojtur punën time dhe as sot nuk do të synoj ta bëj këtë.

Unë jam këtu sepse ndihem e obliguar para qytetarëve të këtij vendi, të cilët duan institucione të qëndrueshme, kredibile dhe që veprojnë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin.

Dua t’i siguroj qytetarët e Republikës së Kosovës, si brenda dhe jashtë vendit, se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke punuar maksimalisht që të kryejë detyrat e veta kushtetuese dhe ligjore.

Angazhimi im në fushën e zgjedhjeve prej një dakade dhe rezultatet e arritura nga KQZ-ja janë dëshmi e një pune të madhe që është bërë këtu.

Akuzat e partive politike, në adresë të KQZ-së dhe në adresë time personalisht, janë ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e institucionit, për ta pamundësuar zbatimin e Kushtetutës dhe Ligjeve në fuqi. 

Kërcënimet publike ndaj meje dhe shqetësimet që po i përjeton familja ime – janë të paprecedenta dhe të rrezikshme. 

Të gjithë kandidatët që dje e kanë parë vetën në listën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës si persona që nuk plotësojnë kriterin për t’u certifikuar si kandidat për deputetë, do t’iu them vetëm dy fjalë, shkurt, shqip dhe qartë: Është ligji dhe aktgjykimi i Gjyaktës Kushtetuese që ua pamundëson kandidimin dhe jo unë.

Unë nuk e kam shkruar Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe as nuk e kam votuar.

Unë nuk e kam shkruar as nenin 29 të këtij ligji. Nuk e kam shkruar as germën Q të këtij neni, që pamundëson kandidimin e një personi i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit.

Unë nuk e kam shkruar as Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që kërkon zbatimin e kësaj dispozite ligjore.

Çdo person që mendon se po i bëhet e padrejtë, do të mund të ankohet në institucionet si PZAP apo edhe në Supreme. Ne do t’i zbatojmë vendimet e tyre.

Unë, Valdete Daka nuk i kam shkruar dhe as votuar këto ligje, por si gjyqtare dhe si drejtuese e KQZ-së, i garantoj qytetarët e Republikës së Kosovës se do t’i zbatoj germë për germë.

Kushtetutën dhe Ligjet, të mira apo të këqija, kështu siç janë, i kanë votuar deputetët e e partive tuaja në Kuvendin e Republikës së Kosovës.  

Mund të ndodh që partive politike herë u pëlqejnë vendimet e KQZ-së dhe herë-herë jo. Por, megjithkëtë, këto vendime janë të bazuara në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, me të cilin i orgaizojmë zgjedhjet. Ky ligj është në fuqi nga viti 2008, por partitë politike nuk e kanë marrë mundimin që ta ndryshojnë përmes deputetëve të tyre. Derisa partitë politike nuk e ndryshojnë ligjin, ne do ta zbatojmë ligjin që është në fuqi.  

Unë, nuk marr vendime në emër të KQZ-së. Sipas ligjit, KQZ-ja është organ kolegjial, i përbërë edhe nga 10 anëtarë të tjerë, të cilët përfaqësojnë partitë politike dhe që kanë votën e tyre, njëjtë si unë.

Unë jam në detyrën e Kryetares së KQZ-së edhe me betimin si Gjyqtare e Gjykatës Supreme, për të zbatuar Kushtetutën dhe Ligjet në fuqi dhe këtë betim do ta çojë deri në fund e palëkundur. 

Është bërë e lehtë për burrat e politikës që të sulmojnë një gjyqtare, një grua dhe një nënë që nuk e mbron dhe nuk e mbështet asnjë parti politike.

Pavarësisht kësaj, unë jam krenare që drejtoj një institucion si KQZ-ja, që ka një staf professional, puna e të cilëve vlerësohet lartë në raportet e organizatave ndërkombëtare. Kjo është forca më e madhe që kam dhe që u dalë të gjithëve ballëhapur.

Të ngjashme