Daka: Votat e pavlefshme, pasojë e mosinformimit

Prishtinë | 12 Qer 2017 | 18:10 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nga zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit dolën 52 484 fletëvotime të pavlefshme.

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, ka thënë për Ekonomia Online se kjo ka ndodhur për shkak të mosinformimit të duhur të votuesve. Ajo është arsyetuar me kohën e shkurtër që kishin në dispozicion për përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme.

“Kjo ndodhë gjithmonë kur kemi afate të shkurta; mosinformimi i duhur, apo edhe siç thuhet edukimi i votuesve të rinj, sepse kemi pasur më shumë se 100 mijë votues të rinj dhe besoj që shumica prej tyre nuk e kanë pasur shumë të qartë se si duhet të votohet. Kjo është njëra prej arsyeve”, ka thënë ajo.

Por, shumë nga fletëvotimet, sikur është raportuar në medie, edhe janë bërë të pavlefshme nga votuesit, si shenjë revolte për partitë.

Pavarësisht kësaj, kryetarja e KQZ-së vlerëson se ky proces zgjedhor ka qenë më i miri i mbajtur ndonjëherë në Kosovë.

“Nuk kemi pasur probleme, aty ndonjë incident i vogël që është diçka normale, por në përgjithësi unë mund të them që këto zgjedhje kanë qenë zgjedhjet më mirë të organizuara ndonjëherë”, tha ajo.

Numërimi i votave “të rregullta” pothuajse ka përfunduar; duhet të numërohen dhe votat me kusht dhe ato të ardhura nga diaspora. Kurse certifikimi i rezultateve do të ndodhë pas ankesave që do t’i shqyrtojë Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka shpjeguar Daka.

Valdete Daka ka konfirmuar për Ekonomia Online se mandati i saj në krye të KQZ-së përfundon më 16 qershor 2017 (pra edhe 4 ditë). Por, presidenti i Republikës mund ta emërojë atë përsëri në krye të KQZ-së.

Të ngjashme