Dardan Sejdiu: Diskutimi për marrëveshje ekonomike me Serbinë është i kotë

Prishtinë | 03 Sht 2020 | 21:30 | Nga Ekonomia Online

Njohësi i çështjeve ekonomike, Dardan Sejdiu, ka thënë se diskutimet për marrëveshje ekonomike me Serbinë që po zhvillohen në Uashington janë të kota.

Në Speciale të Klan Kosovës, ai ka theksuar se Serbia vazhdon të mbetet partneri kryesor tregtar i Kosovës tash e 21 vjet.

“E kam thënë edhe disa herë se diskutimi për një marrëveshje ekonomike është paksa i kotë sepse Serbia është partneri kryesor tregtar i Kosovës tash e 21 vjet”.

“Në marrëdhënie ndërkombëtare kur shikohen raportet mes dy vendeve, një prej indikatorëve kryesor për marrëdhënie të mira është bilanci tregtar dhe ndërveprimi tregtar”.

“Nëse e abstragon këtë diskutimin rreth betejës që e kemi me Serbinë tash e sa vite, nëse jashtë kësaj optike i sheh veç numrat, nuk duket se ka ndonjë tension të theksuar ekonomik; meqë raportet ekonomike – importi kryesor na vjen prej Serbisë”.

“Besoj se ky diskutimi rreth marrëdhënieve më të mira ekonomike ka të bëjë më shumë me infrastrukturë dhe me çështje që mund ta bëjnë transportin më të lehtë të mallrave – kryesisht nga Serbia në Kosovë dhe jo anasjelltas”.

“Nëse po flasim për diskutime për dialogun, ashtu siç e ka prezantuar Kryeministri Hoti i cili tha se jemi duke dialoguar për njohje reciproke, për mua kjo është një prej premisave fillestare dhe përfundimtare”.

“Nëse s’ka njohje reciproke, asgjë tjetër nuk mund të vlejë. Pikënisja duhet të jetë njohja e pastaj mund të flasim për llojin e raporteve dhe thellësinë e tyre”.

Të ngjashme