Debat i ashpër në Kuvend, opozita kundërshton të diskutohet për AKP-në dhe ARKEP-in

Prishtinë | 27 Maj 2021 | 10:46 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që në rend të ditës të seancës të diskutohet edhe raporti vjetor i punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe raporti për emërimin e kryetarëve dhe anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), raporton Ekonomia Online.

“Para miratimit të rendit të ditës, dua të propozojë dy pika shtesë. Në emër të GP-së së VV-së propozojë futjen në rend të ditës edhe të dy rekomandimeve të miratuara në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Ndërmarrësi dhe Tregti. I pari ka të bëj me raportin vjetor të punës të AKP-së dhe i dyti me raportin lidhur me emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të Bordit të ARKEP”, ka thënë ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Këtë propozim të VV-së e kanë kundërshtuar LDK-ja.

“Mendoj se kërkesa për të futur në rend të ditës, çështje që nuk u janë shpërndarë deputetëve, të cilët nuk janë në gjendje që t’i trajtojnë në mënyre dinjitoze, ne nuk e përkrahim një ide të tillë. Po na përsëriten rastet kur çështjet po vijnë me urgjencë në seancë. Nuk po e kuptojmë këtë urgjencë. Mund të thirrni seancë, nesër ose pasnesër, për çështje që edhe deputetëve janë të njoftuar. Janë propozime të rëndësishme që po trajtohen në mënyrë joserioze. Kush prej deputetëve e ka ditë që do të trajtohen këto tema sot. Është shumë joserioze me u propozu kështu”, tha Arben Gashi, shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se kjoështë në kundërshtim të frymës parlamentare.

“AAK-ja e sheh këtë çasje dhe këtë logjikë të kontrabandimit të temave në seancë, si një logjik shumë e gabuar dhe që nuk është në frymën parlamentare. Lidhet me një temë që nuk ka fare urgjencë. Ne jemi kundër kësaj dhe kërkojmë që të bëhet në një seancë tjetër”.

Kusari-Lila tha se asgjë nuk është e jashtë ligjshme që të futen në rend të ditës rekomandimi i Komisionit për Ekonomi për shkarkimin e bordit të AKP-së.

“Mbledhja e Komisionit për Ekonomi ka qenë publike dhe në atë takim për tri ore kemi diskutuar dhe është votuar me 6 vota pro qe seancës ti procedohet shkarkimi i bordit të AKP-së”.

“Dje Bordi që është në proces të shkarkimit ka dërguar letër kërkesë realizimi i pagesave të anëtarëve të bordit të AKP-së, një takim i anëtarëve të Bordit të AKP-së i kushton 26 mijë euro. Kemi kërkuar sot në mëngjes që të futet rekomandimi i komisionit asgjë e jashtëligjshme”.

Të ngjashme