Debat i nxehtë Kurti-Haradinaj

Prishtinë | 25 Mar 2020 | 13:11 | Nga Hasan Hoti

Në seancën për mocionin e rrëzimit të Qeverisë kanë filluar edhe përplasjet mes deputetëve dhe kryeministrit Albin Kurti.

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka thënë se Albin Kurti ka pranuar se e ka hequr taksën pas bisedës që ka pasur me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Haradinaj ka thënë se Kurti tashmë ka mbetur pa taksë e reciprocitet dhe pa mbështetje.

“Në twittin për bisedën me kancelaren Merkel e ke pranuar shprehimisht që e ke hequr taksën. Sot s’ki as taksë as reciprocitet e as mbështetje”.

Haradinaj i ka kthyer një replikë kryeminsitrit të Kosovës Albin Kurti, duke thënë se e kupton tensionin e tij.

Ai ka thënë se nuk do të bëj gara patriotike në Kuvend për patriotizëm, por ka theksuar se është i gatshëm për këtë nëse dikush do.

“Me të vërtetë e kuptoj tensionin se nuk e kanë ndjenjën e lehtë. Për patriotizëm personal shkollë ju mbaj të gjithëve, secilit një nga një. Nuk kam nevojë me kallxu patriotizëm”, ka thënë Haradinaj.

Tutje, ai ka thënë se vendit mundet t’i jap edhe shumë më shumë se i ka dhënë deri tani, përderisa ka kërkuar nga Kurti që të mos e fyej në baza personale.

“Edhe Thaçi edhe Kurti le ta dinë, se send nuk i kam dhanë këti vendi çka mundem me i dhanë. Zoti Kryeministër mos më fyej, se jam më i zoti se ti 100 herë, se unë nuk i zgërdhihem para Bërnabiqit”, ka thënë ai.

Haradinaj ka thënë se ai do ta mbroj sovranitetin e Kosovës me çdo kusht në çfarëdo situate.

“Çdo veprim që e bën dikush për mbrojtjen e Kosovës, m’ka te kambët. Jam 100% me Albin Kurtin për mbrojtjen e sovranitetit të këtij vendi”, ka thënë Haradinaj.

Ndaj fjalës së Haradinajt ka reaguar kryeministri Kurti.

Kurti ka thënë se të AAK-së e kishin marrë bajrakun për çështjen e kufirit me Malin e Zi, por e kishin lëshuar në fund sapo Ramush Haradinaj u bë kryeministër.

Kreu i VV-së ka thënë se Daut Haradinaj e kupton që seanca e sotme është thirrur për ta shkarkuar kryeministrin dhe jo për ta hequr taksën.

“z.Haradinaj, e kuptoni se është e thjeshtë. Nuk po hiqet tarifa, por kryeministri. Ju e merrni bajrakun e në fund e lëshoni në fund për karrige”, ka thënë Kurti.

🔴DREJTPËRDREJT – Kuvendi mban seancë plenare, me kërkesë të LDK-së, për të shqyrtuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti

Gepostet von EkonomiaOnline am Mittwoch, 25. März 2020
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme