Debati për demarkacionin, nën presion

Prishtinë | 02 Gus 2016 | 08:22 | Nga

Ashpërsimi i diskursit dhe shkëmbimi i akuzave mes qeverisë e opozitës sa më shumë që afrohet ora e konferencës për demarkacionin me Malin e Zi, ka zbehur pritjet për rezultatet që mund të sjellë kjo tryezë.

Pasi akuzoi në vikend opozitën dhe ekspertët që janë kundër versionit të qeverisë për demarkacionin, duke vënë në dyshim edhe gjendjen e tyre mendore, të hënën, kryeministri Isa Mustafa ka bërë thirrje të shmangen akuzat e ndërsjella.

Por opozita insiston se vetë fakti që Mustafa e presidenti Hashim Thaçi e quajnë punë të kryer demarkacionin, është presion mbi deputetët e Kuvendit, të cilëve në fund do t’u kërkohet vota për marrëveshjen që përcakton vijën e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Kuvendi i Kosovës është duke bërë përgatitjet e fundit para konferencës për demarkacionin, e caktuar të mbahet më 3 gusht në ambientet e sallës alternative.

Megjithëse administrata e Kuvendit nuk ka vënë në dispozicion sqarime, gazeta merr vesh se deri më tani janë dërguar mbi 60 ftesa, derisa kapaciteti i sallës për numrin e pjesëmarrësve është 130 ulëse. Një burim brenda kuvendit i ka thënë gazetës se fjalën kryesore do ta ketë Komisioni shtetëror dhe ekspertët e grupit të deputetëve që propozuan debat./KD/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme