Komisioni për turqit “përplas” deputetët, shkak shkelja e ligjeve dhe kredibiliteti

Prishtinë | 23 Pri 2019 | 13:21 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

E plotësuar: Në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq deputetët debatuan për shkak se për disa prej tyre komisioni është dashur të mblidhet për të caktuar agjendën e re pas zgjatjes së mandatit dhe të mos vazhdonin menjëherë me ftesa, raporton Ekonomia Online.

Për disa prej tyre, ky komision ka bërë punë të jashtëligjshme.

Deputeti nga PDK-ja, Hajdar Beqa, tha se anëtarët e këtij komisioni e kanë humb kredibilitetin e tyre duke vepruar edhe jashtëligjshëm.

“Sipas mendimit tim e kemi humbë kredibilitetin si anëtarë të këtij komisioni. Kemi jep informata jashtë këtij komisioni dhe nëse kemi interes të shtetit dhe si deputet me e zbardhë këtë çështje, por pa e dëmtuar procesin është mirë ta respektojmë ligjin për komision parlamentar. Nuk mund të ndryshojmë pa bërë mbledhje pas zgjatjes së mandatit tonë. Është dashtë ta bëjmë agjendën për 30 ditë”, tha Beqa.

Nënkryetari i këtij komisioni, Driton Selmanaj, tha se komisioni nuk ka arrit ta kryejë punën e vet për shkak të disa anëtarëve të komisionit, shkak i cili u bë të lindin diskutimet mes anëtarëve.

“Ky komision është pengu dhe nuk ka arrit me kry punën si rezultat i pengesës nga ju për punën që është bërë. Po të mos ndodhnin proceset tjera si rezultat i angazhimit tonë sot nuk do ishim këtu e as presidentin nuk do ta kishim këtu. Unë jam për, për një takim me presidentin këtu. Ta kemi dëshmitarin më 26 prill që mendoj që është dëshmitari kyç”, tha Selmanaj.

E, deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, iu drejtua Selmanajt që të fliste me emra të përveçëm dhe të mos përgjithësonte.

“Mendoj që Dritoni është mirë të flasë me emra konkretë. Nuk është mirë të thotë deputetë të shumicës. Ju kam tërheqë vërejtjen që duhet ta votojmë raportin brenda afatit ligjor. Jam dakord të hapën letrat por Driton kur flet, flet me emra e mbiemra. Dua të shpreh mospajtimim se raporti i shkruar në këtë komision pa e marrë votën e anëtarëve të komisionit është shfrytëzuar si material është dërguar në prokurorinë e shtetit por jo në emër të komisionit parlamentar”, tha Nitaj.

Ndërkaq, deputeti Hajdar Beqa tha se në këtë komision nuk është respektuar ligji për kuorum pothuajse asnjëherë, teksa shtoi se opozita shpesh e ka bërë të pamundur pjesëmarrjen për shkak të datave të mbledhjeve.

“Nuk mundem me marrë përgjegjësi për paaftësinë e z.Selmani. Nuk mundem me ia interpretu ligjin. Nuk e ka respektuar gati në çdo mbledhje nenin për kuorum ku ky i ka mbajt mbledhjet pa kuorum. Kemi pas raste kur kemi mbajt seanca ku opozita nuk ka dashtë me marrë pjesë e kanë thirr komision. Për mu primare është seanca”, tha ai.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se nuk do të jetë më pjesë aktive e këtij komisioni, pasi e quajti punën e tij të jashtëligjshme.

Çdo minutë kohë që e humbim ne në këtë komision është minutë e humbur në drejtësi.  Unë nuk pranoj të jem në një komision të jashtëligjshëm sepse i kemi shkelë të gjitha ligjet. Nuk do diskutoj më për materialet që vijnë. Unë konsideroj se e kemi shkelë ligjin me këtë komision dhe nuk dëshiroj të bëj punë të paligjshme. Unë do marrë pjesë në çdo mbledhje për korrektësi, por do marrë pjesë në heshtje, pa votuar dhe pa diskutuar”, tha ajo, raporton EO.

Deputeti i Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, tha se komisionin po mundohen ta degradojnë.

“Misioni që ka pasë ky komision është bërë përpjekje të degradohet deri në fund. E votoi ky komision apo jo, e votoi seanca apo jo, s’ka rëndësi. Por e vërteta me shkeljet e dokumentuara ka dalë në publik. Ne po e humbim vlerën që e ka një Kuvend në bazë të Kushtetutës. Fatkeqësia është se ne edhe për të drejtat themelore të njeriut jemi të gatshëm me përdorë politikë sepse ky raport e ka marrë dhenë”, tha Kurteshi.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka kërkuar nga deputetët që të flasin me dëshmi se ku ka shkelë ligjin për të cilin ka shpreh gatishmëri të ballafaqohet.

“Ne e pranuam kërkesën tuaj dhe në mbledhjen e radhës keni thënë që po bëjmë kërkesë për mandat shtesë, por keni thënë se ky komision ka dështu. Unë po e shtroj pyetjen, pse mandati shtesë ka ardhë në seancë pasi na ka rrëzu një herë. Ma thoni një nen të vetëm ku unë e kam shkelë ligjin, më tregoni jam i gatshëm të ballafaqohem”, tha ai.

Anëtarët e Komisionit hetimor lidhur me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq ka përkrahur kërkesën e kryetarit të saj Xhelal Sfeçlës për të thirr për raportim presidentin Hashim Thaçi, ish-drejtorin e AKI-së, Driton Gashin dhe ish-drejtorin e Policisë, Shpend Maxhunin dhe dy zyrtarët tjerë të AKI-së.

“Ndryshim në rend dite. Kam kërkuar të futet në votim shtimi i listës së dëshmitarëve. Më 3 maj të thërrasim për riintervistim ish drejtorin e AKI dhe ish drejtorin e policisë. Si dhe të thërrasim dy zyrtarët e AKI që kanë qenë pjesë e aksionit të deportimit”.

“Në orën 13:00 më 26 prill ta ftojmë presidentin. Kurse më 3 maj të thërrasim katër zyrtarët që unë i propozova”.

Dëbimi i shtetasve turq, Thaçi nuk raporton në komision

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq ka nisur mbledhjen në mungesë të presidentit Hashim Thaçi i cili pritej që sot të raportonte në këtë komision në lidhje me dëbimin e turqve, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i komisionit, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se nga zyra e presidencës është njoftuar se nuk ka qenë e mundur sot të marrë pjesë presidenti derisa nga kjo zyrë kanë kërkuar datë tjetër.

“Zyra e Presidencës ka kërkuar të caktojmë një datë tjetër. Me keqardhje presidenti nuk mund t’i përgjigjet ftesës suaj. Kërkojmë që kjo të organizohet për datën 26 prill”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Të ngjashme