Deda: Injoranca po na kushton me izolim

Prishtinë | 06 Shk 2018 | 20:17 | Nga

Deputeti Ilir Deda në një postim në Facebook, ka shkruar për Stretegjinë e Zgjerimit të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, me të cilin, sipas tij, Kosova duhet të zbatojë disa kushte të përcaktuara.

“Strategjia e Zgjerimit të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, paraqet një dokument të guximshëm që i obligon 6 shtetet për ndryshime rrënjësore”, ka shkruar Deda.

“Viti 2025 vendoset si vit orientues për anëtarësim jo vetëm të Serbisë dhe Malit të Zi, por edhe të çdo shteti tjetër të Ballkanit, NËSE vendet i zbatojnë plotësisht kushtet e përcaktuara”, ka shtuar ai.

Në rastin e Kosovës, sipas Dedës, pritet ndër të tjera:

1.Ç’kapja e shtetit, fundi i liderëve që janë të lidhur me krimin e e organizuar dhe korrupsionin; rrjedhimisht fundi i kulturës së pandëshkueshmërisë, dhe fundi i kontrollit të mediave.

2. Arritja e marrëveshjes gjithpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që do të na mundësojë – ndër të tjera – edhe integrimin në BE (lexo: heqjen e pengesës “objektive” të kundërshtimeve të shtetësisë tonë sidomos nga Spanja dhe Qipro, rrjedhimisht derë e vogël për anëtarësim të Kosovës)
3. Demarkacioni me Serbinë (sa më parë)
4. Bashkëpunim i plotë me Gjykatën Speciale.
5. Reforma të thella në fushat prioritare socio-ekonomike.

“E në fund, asgjë nuk bëhet me zor. Siç edhe shkruhet në Strategji, anëtarësimi në BE është një zgjedhje”, ka shkruar ai.

“Po të zgjidhej demarkacioni me Malin e Zi në vitin 2015 apo në fillim të vitit 2016, ne sot do të udhëtonim pa viza. Po të tregohej përkushtim për përmbushjen e obligimeve të tjera ne do të ishim afër statusit të kandidatit me mundësi dhe datë të qartë për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Por, shkurtpamësia dhe injoranca politike na kushtoi të gjithëve me izolimin e dukshëm dhe prapambetjen kolektive.

Në vitin 2025, Kosova mund të jetë në prag të anëtarësimit në BE apo në staus quo-n e sotme, varësisht nga sjelljet e Kosovës dhe jo të BE-së. E sjelljet e Kosovës do të varen kryekëput nga vendimet e secilit qytetar të Republikës së Kosovës në zgjedhjet e ardhshme”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme