Deda: Jo koalicion me PDK-në, Hoti është kryeministri im

Prishtinë | 01 Qer 2017 | 22:21 | Nga

Njëri nga themeluesit e Alternativës dhe kandidati për deputet, Ilir Deda, ka thënë të enjten në tubimin e koalicionit Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca Kosova e Re (AKR), Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi, se nuk ka asnjë mundësi që pas zgjedhjeve të bëjnë koalicion me PDK-në, sepse Avdullah Hoti do të jetë kryeministër i ri.

“Do ta bëjmë një sqarim për qytetarët. Nuk ka koalcion me PDK-në pas 11 qershorit. Me ata që ua treguam vendin në vitin 2013 në Gjakovë, Mitrovicë, Ferizaj, Gjilan, Viti etj. Avdullah Hoti është kryeministri im. Por Avdullah Hoti nuk është vetëm, ata të tjerët po e tregojnë vetëm një njeri, ndërsa Avdullah Hoti e ka ekipin më të mirë të Kosovës dhe ju mund ta shihni këtu”, ka thënë Deda.

Ai ka shtuar “shihemi në finale, kur do ta mundësojmë lirinë, demokracinë, pavarësinë”.

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila, ka thënë se jemi në ditët finale të ndryshimit të madh për Kosovën.

“Më 11 qershor mos i votoni ata që e sollën regresin dhe të keqen në Kosovë. Mos votoni me zemër, por me kokë të kthjellët dhe ide të qarta. Më 11 qershor do të jetë fillimi i ri për ata – fillimi i ri në opozitë”, ka thënë Kusari Lila.

“Dua t’u flas vajzave dhe grave, mbështeteni koalicionin e shpresës, duke treguar se forca juaj ka një dallim dhe ai dallim nuk vjen nga ata që thonë se do t’u bëjmë zonja të shtëpisë. Ne jemi zonja të shtëpisë, jemi zonja të shtetit dhe do të jemi zonja të Qeverisë”, ka thënë kryetarja e Gjakovës.

Ajo ka shtuar se në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, përveçse i uroj të gjitha nënat dhe baballarët, ju flas si nënë, si motër, si grua, mendoni për të sotmen dhe të ardhmen e fëmijëve tuaj, mendoni se kujt do t’ia lini në duar Kosovën dhe atëherë do të dini se për kë do të votoni më 11 qershor.

“Ne jemi ata me integritet, me guxim dhe me ide të qarta, jemi bashkë të vendosur për Kosovën, sepse Kosova është shtëpia jonë dhe etëm këtë shtëpi e kemi, prandaj do ta ndërtojmë dhe zhvillojmë bashkë. Ju priftë e mbara të gjithëve”, ka thënë Kusari Lila.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme