Deda tregon datën se kur do të mund të mbahen zgjedhejt

Prishtinë | 02 Gus 2019 | 09:25 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesit e opozitës i kanë dhënë ultimatum presidentit Thaçi që nëse nuk thërret takim gjatë ditëve në vijim do t’i mbledhin votat për ta shpërndarë Kuvendin javën që vjen. Ata janë shprehur të bindur se do t’i sigurojnë 80 vota të deputetëve për ta bërë një gjë të tillë.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi deri më tash i ka ftuar për konsultim vetëm disa prej partive të vogla që vijnë nga radhët e komuniteteve joshumicë, por jo edhe subjektet kryesore të koalicionit qeverisës dhe ato të opozitës.

Pavarësisht kësaj dhe pavarësisht faktit që kreu i shtetit ditëve të fundit, përpos zgjedhjeve, ka përmendur edhe krijimin e një strukture të re qeverisëse si opsion të mundshëm për të dalë nga situata e tanishme, deputeti i Alternativës, Ilir Deda, ka thënë se së fundmi është parë një avancim në qëndrimin e presidentit. Rrjedhimisht, sipas tij, zgjedhjet e parakohshme nuk mund të shmangen.

“E kemi parë avancimin e pozicionit të Thaçit nga komunikata e parë, në të cilën nuk i përmendi zgjedhjet deri te e djeshmja ku i përmendi ato. Duke e pasur parasysh që partitë politike tashmë janë deklaruar për zgjedhje, nuk ka mundësi të zvarritjes së shpalljes së zgjedhjeve”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Së këndejmi Deda ka bërë të ditur se në rast se Thaçi nuk do t’i ftojë partitë kryesore për konsultim, deputetët do ta shpërbëjnë Kuvendin javën që vjen.

“Besoj që javën e ardhshme do ta kemi shpalljen e zgjedhjeve, sepse nëse Thaçi nuk e përmbyll ciklin konsultues me partitë politike, atëherë mblidhemi në Kuvend dhe me 80 vota vetëshpërbëhemi”, ka potencuar ai.

Në këtë drejtim Deda ka thënë se me fillim të javës që vjen do t’i nisin edhe aktivitetet për mbajtjen e seancës. “Besoj që nga dita e hënë do të ketë aktivitete në drejtim të thirrjes së seancës së jashtëzakonshme për shpërbërje të Kuvendit, pasi duket që tashmë janë 2/3 e nevojshme për këtë vendim”, ka potencuar Ilir Deda.

Seancë të jashtëzakonshme për shpërndarjen e Kuvendit kishte paralajmëruar edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Zyrtarë të LVV-së patën thënë se një gjë e tillë do të ndodhte gjatë kësaj jave, mirëpo kjo nuk ka ndodhur deri më sot, pasi, siç kanë thënë zyrtarët e këtij subjekti, nuk është arritur bashkëpunim me të gjitha partitë.

Por të pyetur nga gazeta nëse shpërndarja e Kuvendit do të ndodhë gjatë javës që vjen, ata janë shprehur optimistë se ky skenar do të finalizohet.

“Ne besojmë se do të ndodhë. Do ta iniciojmë dhe besoj që pas zgjedhjeve të LDK-së edhe ata do ta kenë situatën më të qartë dhe do të vazhdojmë me shpërndarjen e Kuvendit”, ka thënë për “Zërin” deputetja e LVV-së Arbërie Nagavci.

Nagavci tutje ka konsideruar se presidenti është duke e zvarritur qëllimisht çështjen e konsultimeve me partitë politike.

nga LDK-ja kanë konsideruar se kreu i shtetit është duke e zvarritur qëllimisht procesin, pasi PDK-së nuk po i konvenojnë zgjedhjet e parakohshme.

“Ata janë të afërt me presidentin, ish-kryetarin e kësaj partie. Të gjithë po e shohim zvarritjen e qëllimshme që presidenti po ia bën këtij fenomeni”, ka theksuar deputeti i LDK-së Naser Rugova. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme