Dedaj: Jam zëvendësministër i Kosovës, jo i Pacollit

Prishtinë | 10 Maj 2018 | 18:58 | Nga

“Unë nuk jam zëvendësministër i Behgjet Pacollit, por i Qeverisë të Kosovës. Ai sot mund të jetë, nesër mund të mos jetë. Kryeministër është Ramush Haradinaj dhe unë jam në koalicion qeverisës. Ndaj nuk e kam problem, sepse tjetërkush s’mund as të më shkarkojë, as të më ngarkojë”.

Zëvendësministri i Puënve të Jashtme të Kosovës, Gjergj Dedaj, ka thënë se nuk frikësohet nga mundësia e shkarkimit, pas deklaratave të tij se Kosova nuk duhet të anëtarësohet në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik.

Në Info Magazine të Klan Kosova, ai ka deklaruar se është me rëndësi që vendi të ndjekë shtegun e afrimit me perëndimit dhe se duhet që të ketë kurs të qartë dhe të vendosur në këtë sferë.

“Ka pasur keqkuptim dhe keqinterpretim të qëndrimeve të mia, duke tentuar ta hedhin qëndrimin tim në rrafshin fetar. Qëndrimi im është në përputhje me agjendën nacionale dhe përcaktimin euro-atlantike të Kosovës. Prioritete të Kosovës janë anëtarësimi në NATO, në BE, në INTERPOL në EUROPOL”.

“Unë i jap përparësi dhe prioritet kësaj agjende dhe e mbështes me të gjitha kapacitetet e mia, natyrisht edhe për të dërguar mesazhin se kemi tolerancë unike. Ky mesazh i qytetarëve të Kosovës duhet të kultivohet dhe të respektohet”.

“Nuk jam i thirrur, as nuk është në mandatin tim agjenda fetare në Kosovë. Nuk jam kundër njohjeve, përkundrazi jam kampion në lobimin për pavarësinë e Kosovës. Sikur ajo organizatë të mos e kishte parashtesën islamike do të ishte ndryshe. Por kur ka parashtesë fetare, atëherë ndryshon menjhëerë”.

“Kam dëgjuar se në këtë organizatë janë edhe Rusia, Mozambiku e shtete të ngjajshme. Por këta nuk janë shembujt më të mirë”.

“Jo që kam thënë, por e mbaj. Nëse Kosova në çfarëdo mënyre bëhet anëtare e organizatave fetare, qofshin krishtere, qofshin islamike, unë largohem menjëherë nga posti”.

“Unë nuk jam zëvendësministër i Behgjet Pacollit, por i Qeverisë të Kosovës. Ai sot mund të jetë, nesër mund të mos jetë. Kryeministër është Ramush Haradinaj dhe unë jam në koalicion qeverisës. Ndaj nuk e kam problem, sepse tjetërkush s’mund as të më shkarkojë, as të më ngarkojë”.

“Ne nuk mund të jemi dashnorë të të gjithëve. Nuk mund të jemi në mëngjes me Amerikën, pasdite me të tjerë. Ne duhet ta kemi të qartë se as SHBA, as NATO, as BE nuk kanë intervenuar në Kosovë për shkak të përkatësisë fetare”.

“Unë nuk merrem me Behgjet Pacollin. Edhe pse kam marrë dhjetëra kërcënime nga personale me qasje radikale islamike, por ato do t’i çoj në polici. Unë e ndaj islamin tradicional nga ai radikal. Unë nuk merrem me Gëzim Kelmendin. Bile më vjen keq të merrem me dikë të nivelit të tij”.

“Jam kundër dhe kategorikisht do të jem kundër anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik”.

“Dihet mirë se Turqia ka dashur t’i shfarosë shqiptarët. Këtë e di edhe fëmija në djep. Por tash për shkak të interesave po i thonë vëlla atij, e vëlla një tjetri. Unë vëllezër nuk i kam ata”.

Dedaj kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata islamike

Ditë më parë zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Gjergj Dedaj e ka kundërshtuar hapur Behgjet Pacollin në përpjekjen e këtij të fundit që Kosovën ta anëtarësojë në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OBI).

“Jo, Kosova në OBI”, kishte shkruar Dedaj.

Ai përballë njohësit të rrethanave në Lindjen e Mesme, Mustafa Bajrami në Klan Kosova ka thënë se nuk duhet të futën çështje Islamike në anëtarësimin e Kosovës para Bashkimit Evropian, para NATO-s, para Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Me fut çështjet tjera para Bashkimit Evropian, para NATO-s, para Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB-së) unë mendoj që këta që dëshirojnë të marrinë këso vendime e dëmtojnë Kosovën”, ka thënë Dedaj.

“Shteti të distancohet nga qëndrimet skandaloze të Dedajt”

Njohësi i rrethanave në Lindjen e Mesme, Mustafa Bajrami, ka thënë se shteti i Kosovës duhet të distancohet nga deklaratat e zëvendësministrit të Jashtëm, Gjergj Dedaj se vendi nuk duhet të anëtarësohet në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik.

Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka deklaruar se këto qëndrime tregojnë për një frymë anti-islamiste në Kosovë, duke insistuar se kjo organizatë nuk është e karakterit religjioz, duke përmendur një varg shembujsh për ta ilustruar këtë qëndrim.

“Organizata e Bashkëpunimit Islamik është organizata më e madhe e shteteve në botë, pas Kombeve të Bashkuara, me 57 anëtarë. Përveç shteteve anëtare ka edhe shtete vëzhguese dhe në total numri i tyre shkon mbi 80 shtete”.

“Kosova jo që duhet ta gjejë rrugën dhe të bëjë përpjekje për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, por duhet të gjejë mjete dhe të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare, të njohura ndërkombëtarisht. Tani në procesin e njohjeve, nesër në procesin e zhvillimit ekonomik”.

“Referimi në të kaluarën e një personi si referim për gjendjen momentale nuk e shoh si akt të qëndrueshëm. Unë nëse deri dje i kam kontribuar Kosovës, e sot i shkaktoj dëme, për çfarëdo arsye, nuk mund ta përdori të parën për ta mbuluar të dytën”.

“Nuk i njoh rregullat, rregulloret dhe ligjet e Kosovës, pra emërimin dhe shkarkimin e dikujt. Por nga këndvështrimi i një qytetari të thjeshtë të këtij vendi, mendoj se ministri i Jashtëm i Kosovës do të duhej të dilte dhe të distancohej nga qëndrimi i tillë”.

“Nuk mundet që ministri i Jashtëm lobon dhe qe një javë është në Emiratet e Bashkuara Araba, por zëvendësi i tij del dhe thotë se do të dorëhiqet nëse Kosova anëtarësohet në OBI”.

“Shikuesti duhet ta dinë se anëtarët e OBI nuk janë shtete islamike në kuptim të Sheriatit, por me popullatë shumicë islame. Unë nuk njoh shtet islamik, përveç Arabisë Saudite, që punon me Ligjin e Sheriatit”.

“Në këtë organizatë është edhe Egjipti. Ky Egjipt që po cilësohet si islamist”.

“Nuk ka gjë më skandaloze për diplomacinë e një vendi sesa kur një zyrtar i lartë i diplomacisë thotë se nuk duam investime nga Turqia, sepse përmes tyre po do të na ç’kombëtarizojë. Kjo është skandaloze”.

“Figurat më me peshë të Kosovës duhet të dalin dhe t’i thonë botës se deklarime të këtilla nuk janë qëndrime të Kosovës. Deklarata të këtilla tregojnë njëfarë tendence të rritjes të anti-islamizmit në Kosovë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme