Dega e LDK-së në Deçan shënon 27-vjetorin e themelimit

Prishtinë | 22 Pri 2017 | 18:49 | Nga

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Deçan, në praninë e qindra aktivistëve dhe qytetarëve, shënon 27-vjetorin e themelimit, ku ishte i pranishëm kryetari i LDK-së, njëherësh kryeministër i Republikës së Kosovës, Akademik Isa Mustafa.

Të pranishmëve, fillimisht iu drejtua kryetari i Degës, Jeton Mushkolaj, i cili ndër të tjera foli për punën dhe veprimtarinë e Degës së LDK-së në Deçan, duke kujtuar dhe falënderuar veprimtarët dhe themeluesit për kontributin e tyre.

Kryetari Mushkolaj theksoi të arriturat e Qeverisë së udhëhequr nga Akademik Mustafa, duke shprehur mbështetjen e Qeverisë për projektet konkrete në Komunën e Deçanit.

Mushkolaj, po ashtu, tha se Dega e LDK-së në Deçan, përshëndet dhe përkrahë fuqishëm vendimet e kryetarit Mustafa dhe theksoi se Komunës së Deçanit do t’ia kthejnë qeverisjen e mirë.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, pasi përshëndeti të pranishmit, strukturat e LDK-së dhe Degës së Deçanit, foli për veprimtarët dhe themeluesit në rrugëtimin e tyre në Degën e Deçanit.
“Duke trashëguar një histori shumë domethënëse, ne tani po e ndërtojmë vendin mbi bazën e sfidave me të cilat po ballafaqohemi dhe mbi bazën e orientimeve që i kemi si LDK”, tha kryetari Mustafa, duke shtuar se LDK-ja po bënë çdo gjë që t’i hap perspektivë vendit, që të jap shembullin e mirë të respektimi të ligjit dhe të qeverisjes në shërbim të interesave të qytetarëve.

Më tej, kryetari Mustafa theksoi se po punohet me përkushtim që në çdo komunë të investohet për aq sa ka mundësi dhe kapacitete, duke përfshirë Komunën e Deçanit.

Duke u bazuar në pjesëmarrjen e madhe të qytetarëve në këtë tubim, kryetari Mustafa, tha se LDK-ja ka besimin, ka forcën, ka drejtësinë dhe ka mundësinë që të marr përgjegjësinë që të qeveris edhe në këtë komunë dhe në komunat tjera.

Më tutje, kryetari Mustafa foli edhe për shembullin e mirë të qeverisjes që ka dhënë LDK-ja gjatë kësaj periudhe, përkundër problemeve dhe dhunës me të cilën është përballur.
“Kemi treguar se para dhunës nuk dorëzohemi, para atyre që dëshirojnë që me çdo kusht të qeverisin me mënyrën dhe mjetet e tyre, nuk dorëzohemi”, tha kryetari Mustafa,

Duke folur për sfidat dhe kërkesat me të cilat po përballet Kosova, kryetari Mustafa, po ashtu, tha se ato do të zgjidhen me vullnetin e shumicës.

Sipas kryetarit të LDK-së, Akademik Isa Mustafa, të gjitha këto çështje do të adresohen me një LDK unike, të fortë dhe bindëse.

Po ashtu, kryetari Mustafa, e veçoi nevojën e bashkëpunimit dhe ruajtjen e partneritetit strategjik me SHBA-të, shtetet e BE-së dhe të gjithë miqtë ndërkombëtarë, duke mos i rrezikuar raportet e mira me ta.
“Ne nuk kemi opsione alternative, ne jemi të orientuar vetëm drejt Bashkimit Evropian dhe vlerave perëndimore”, tha kryetari i LDK-së, duke shtuar se në këtë rrugë Kosova do të përballet me disa vendime që nuk janë të lehta, por se vendimet e rënda do të përballohen duke qenë së bashku.

Për fund, kryetari Mustafa ftoi të gjithë qytetarët dhe aktivistët e LDK-së që të punojnë që përvjetorët e ardhshëm të LDK-së të kremtohen së bashku, dhe që LDK ta ketë përgjegjësinë në Deçan dhe në Kosovë.
“LDK e meriton ta ketë këtë përgjegjësinë sepse është parti e përgjegjshme, parti e zonja dhe parti e cila e ka përkrahjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha kryetari Mustafa.

Më pas, kryetari i LDK-së, Akademik Isa Mustafa, së bashku me kryetarin e Degës, Jeton Mushkolaj dhe deputetin Armend Zemaj, kanë shpërndarë mirënjohje për personalitete të shquara që kanë kontribuuar për Kosovën dhe Deçanin në kuadër të veprimtarisë shtetformuese dhe politike në Degën e LDK-së në Deçan dhe më gjerë.

 

Të ngjashme