Deklarata e Merkelit ia ndryshon diskursin Thaçit, tani kërkon njohje me kufijtë aktualë

Prishtinë | 15 Gus 2018 | 08:13 | Nga

Ka mjaftuar një deklaratë e kancelares gjermane Angela Merkel, për t’i ndryshuar diskursin presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ditëve të fundit, në konferenca të përditshme, Thaçi kërkonte rikorrigjimin e kufijve, ndërsa sot ka përshëndetur qëndrimin e kancelares Merkel, raporton ktv.

“E përshëndes deklaratën e kancelares Merkel, në lidhje me mosprekjen e kufijve në Ballkan. Gjithçka qe mbetet të bëhet për shumicën e shteteve anëtare të BE-së është t’i bindin pesë shtetet që nuk na njohin dhe gjithashtu Serbinë që ta njohin Kosovën me kufijtë aktualë. Sa më parë që ndodh, aq më mirë për rajonin”, ka thënë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Vetëm një ditë më parë, kancelarja gjermane Angela Merkel ishte e shkurtë dhe e qartë me qëndrimin e saj. Tha se integriteti territorial i shteteve të Ballkanit Perëndimor është krijuar dhe është i paprekshëm.

“Integriteti territorial i shteteve të Ballkanit Perëndimor është krijuar dhe është i paprekshëm. Kjo duhet të thuhet përsëri dhe përsëri sepse përsëri dhe përsëri ka përpjekje për të folur ndoshta për kufijtë dhe ne nuk mund ta bëjmë këtë”, deklaroi Merkel.

Derisa për presidentin serb, kjo është një nga ato deklaratat e kancelares gjermane që e ka dëgjuar tash e 5 mijë herë.

Pikërisht ky propozim i Hashim Thaçit për korrigjim kufijsh, sipas shefit të deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti, ka dëmtuar në thelb përpjekjet e kamotshme të Kosovës dhe BE-së për të krijuar rrethana të favorshme për komunitetin serb që të jetë pjesë aktive dhe e barabartë e jetës institucionale të Kosovës.

“Propozimi për korrigjim kufijsh po e ndihmon drejtpërdrejt politikën refuzuese të përfaqësuesve politikë të komunitetit serb ndaj institucioneve të Kosovës si dhe po i ushqen shpresat e tyre se Kosova mund të ndahet dhe një pjesë e saj mund t’i bashkëngjitet Serbisë. Kaq vite mund, investime dhe punë nga ne dhe miqtë tanë ndërkombëtarë tash po dëmtohen nga Presidenti i shtetit, i cili në fakt do të duhej të ishte gardian i rendit kushtetues dhe kundërshtues ndaj ideve të tilla kundërkushtetuese. Zgjedhjet e reja do të nxjerrin një qeveri dhe kuvend legjitim, që marrin në dorë fatin e vendit dhe nuk e lejojnë Presidentin të bëjë pazar me shtetësinë e Kosovës”, ka thënë Hoti.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se me deklaratat e tij rreth kufijve, presidenti Thaçi më shumë po e jep veriun sesa që po e merr Luginën. Sipas tij, qeveria duhet ta konsiderojë referendumin e vitit 1992, lidhur me çështjen e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Ish-presidenti, njëherësh ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha, deklaratat e kancelares Merkel i ka quajtur përgjigje të duhur ndaj përpjekjeve të Beogradit dhe argatëve në Prishtinë.

“Ky qëndrim i kancelares është për t’u përshëndetur si një kontribut real për paqen dhe stabilitetin në rajon. Kjo është përgjigjja e merituar ndaj përpjekjeve të Beogradit dhe argatëve të tij në Prishtinë për krijimin e Serbisë së Madhe dhe për copëtimin e ri të Kosovës, ndarjen e saj, zhbërjen e fitores së luftës së shqiptarëve të Kosovës dhe NATO-s kundër Serbisë së Millosheviqit, dhunimit të të gjitha akteve ndërkombëtare për integritetin territorial të Kosovës, dhunimin e rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe Këshillit të Sigurimit dhe dokumentit Ahtisari”, ka thënë ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

Ish-kryeministri Berisha që disa ditë është përplasur verbalisht me presidentin Hashim Thaçi. Për idenë e presidentit tha se është në bashkëpunim me Beogradin, e Thaçi e kishte akuzuar Berishën se kishte strehuar Bin Ladenin dhe Arkanin derisa kishte burgosur Adem Jasharin, Fehmi e Xhevë Lladrovcin dhe Zahir Pajazitin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme