Deklaratat e Kurtit nga Brukseli, populiste – Sadiku: Diskursi i tij nuk çon në marrëveshje

Prishtinë | 15 Qer 2021 | 15:35 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deklaratat nga ana e kryeministrit kosovar, Albin Kurti pas takimit për dialogun me kryeministrin serb, Aleksandar Vuçiq, po i konsideron si populiste, sa për marrje votash dhe që përkojnë me mentalitetin ballkanik, njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku, raporton Ekonomia Online

Sadiku ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online se deklaratat pas takimit në Bruksel kanë qenë populiste, për marrje votash.

“Janë deklarata të cilat më tepër tregojnë për populizmin dhe mentalitetin ballkanik në kuptimin e asaj që më shumë i është kushtuar logjikës populiste të marrjes së më shumë votave në zgjedhjet e ardhshme sesa në kuptimin e asaj që të shkojmë në Bruksel për të menduar për një zgjidhje e cila mund të jetë e mundshme brenda së paku dy viteve të ardhshme”, është shprehur ai.

Sadiku, po ashtu ka komentuar edhe propozimet e publikuara të cilat i ka adresuar Kurti gjatë këtij takimi.

Sipas tij katër propozimet nuk kanë përmbajtje në drejtim të arritjes së një marrëveshje mes dy vendeve.

Kurti ka prezantuar katër ide të reja, ku njëra ndër to ishte edhe nënshkrimi i një marrëveshjeje të paqes, ku Kosova dhe Serbia do të zotoheshin që nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën dhe “në këtë mënyrë t’i kontribuojmë paqes dhe sigurisë në rajonin tonë dhe më gjerë”. Po ashtu, Kurti tha se gjatë takimi ka ngritur edhe çështjen e personave të pagjetur, që sipas tij, është çështje “që nuk pret”.

“Realisht janë propozime që ngërthejnë në vete pyetje pa përgjigje sepse nuk tregohet se cila palë realisht, çka do të jetë në dialog. Sigurisht ikja nga Asociacioni i Komunave i cili ka për bazë fuqizimin e vetëm një etnie në Kosovë është ide e qëlluar megjithatë ne duhet të tregojmë si palë se çka ofrojmë plus. Nëse ne themi që mund të ofrojmë diçka siç është Këshilli nacional në Serbi për të drejtat e pakicave që kanë shqiptarët në Luginën e Preshevës atëherë duhet të koordinohemi me bashkësinë ndërkombëtare se a ka ndonjë pëlqim real nga këto dy qendra të vendosjes siç është BE-ja dhe ShBA-ja”.

“Në të kundërtën ne nuk mund të presim edhe aq shumë nga këto ide apo propozime të Qeverisë Kurti sepse janë më tepër qëndrime të cilat janë sa për të thënë diçka se sa që kanë përmbajtje në kuptimin e arritjes së një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, e cila mund të arrihej përmes një traktati të Paqes mes dy palëve”.

Ndërsa lidhur me deklaratat e Kurtit se takimi i 15 qershorit do të jetë diçka e re dhe jo vazhdimësi, Sadiku ka mohuar deri më tash të ketë pasur diçka ndryshe dhe të re.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u takuan të martën në Bruksel, në kuadër të dialogut, por palët nuk u morën vesh për temat e ngritura.

Ky ka qenë takimi i parë i tyre në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Raundi i ri i dialogut pritet të mbahet në muajin korrik.

Të ngjashme