Me deklaratë i kërkojnë BE-së liberalizimin e vizave

Prishtinë | 19 Tet 2016 | 08:04 | Nga

Grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës do të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët, me anë të së cilës do t’ua kërkojnë vendeve të Bashkimit Evropian heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Kjo ide ka dalë pas një takimi që kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka zhvilluar me Komisionin për Punë të Jashtme. Mirëpo, burime të afërta me partitë politike kanë bërë me dije se për t’u nënshkruar kjo deklaratë, kryetari Veseli do ta zhvillojë edhe një takim sot ose nesër në mënyrë që ta harmonizojnë tekstin e deklaratës, pastaj do të nënshkruhet. Pas këtij takimi, kreu i legjislativit Kadri Veseli theksoi se me këtë deklaratë synojnë t’i tregojnë vendeve të BE-së sesi politikë e Kosovës janë të bashkuar rreth integrimit evropian.

“Ideja është konkrete, përmes një deklarate të përbashkët të grupeve parlamentare si kërkesë drejtuar të të gjitha vendeve të BE-së që t’i jepet dritë jeshile edhe Kosovës, përkatësisht qytetarëve tanë që të lëvizin lirshëm”, ka thënë Veseli, sipas të cilit spektri politik në Kosovë është bashkë në qëndrimin se Kosova ka kufijtë e vet, sovranitetin dhe e njohin tërësinë territoriale dhe sovranitetin e secilit shtet fqinj dhe jemi për fqinjësi të mirë me secilin shtet. Por, kreu i Kuvendit foli edhe për dallimet që kanë koalicioni qeverisës dhe partitë opozitare, për të cilin dallim theksoi se nuk duhet ndëshkuar qytetarët e saj. “Ndërsa ajo që na dallon dhe duhet pranuar si fakt është çështja e demarkacionit, pasi opozita e ka një qëndrim që nuk janë kundër demarkacionit, por ata kanë shqetësimin e vet për formën e shënimit të kufirit. Qytetarët e Kosovës nuk do të ishte mirë të ndëshkoheshin për demarkacionin, pasi kemi plotësuar shumicën absolute të kushteve në rrugëtimin tonë drejt BE-së”, theksoi ai.

Megjithatë, kjo duket se ka dërguar në tërheqjen në mënyrë të heshtur të Qeverisë nga ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin, ndonëse Veseli nuk e pranon një gjë të tillë. “Tërë ajo çfarë është përpjekja ime në këtë moment është që të krijohet mirëkuptimi që edhe Kosovës t’i njihet ajo e drejtë që e kanë shumica e vendeve në regjion, lëvizjen e lirë. E mira do të ishte që ta kalonim Demarkacionin shumë shpejt. Realiteti është ky që është, unë nuk mund ta ndryshoj, por do të mundohemi që në rrethana të këtij realiteti të mos ndëshkohen qytetarët tanë”, theksoi Veseli.

Ndërsa kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Elmi Reçica, theksoi se duhet të dëshmojnë se kanë unitet të brendshëm në rrugën drejt integrimeve evropiane. “Jemi në proces ku ne duhet të dëshmojmë se kemi unitet të brendshëm dhe sa i përket integrimeve jemi të përkushtuar njëjtë të gjithë. Në kuadër të kësaj do ta intensifikojmë punën me shkresa e takime, me bashkëbisedime me homologët tanë”, tha Reçica, raporton gazeta Zeri.

Ndërsa shefi i deputetëve të AAK-së, Pal Lekaj, u shpreh se u dakorduan që të hartojnë një deklaratë të përbashkët për çështjen e liberalizimit të vizave, por pa lëvizur nga qëndrimet që kanë për Demarkacionin. “U dakorduam që të dalim me një deklaratë të përbashkët duke mos lëvizur nga qëndrime tona dhe duke garantuar BE-në që vijëzimi i kufirit duhet të bëhet në mënyrë paqësore, pa cenim të integritetit dhe në marrëveshje për një version tjetër”, theksoi Lekaj, duke sugjeruar koalicionin qeverisës që të mendojë ndryshe sa i përket versionit aktual për Demarkacionin dhe të merren parasysh argumentet e opozitës.

Në takim munguan anëtarët e Komisionit nga radhët e “Vetëvendosjes” dhe të Listës Serbe.

Të ngjashme