Dekreti i ish-presidentit Thaçi për Ambasadën në Izrael nuk specifikon lokacionin

Prishtinë | 15 Mar 2021 | 17:04 | Nga Ekonomia Online

Ambasada u vendos në Jerusalem, statusi i të cilit është një nga pengesat më të mëdha për arritjen e një marrëveshjeje paqësore midis Izraelit dhe Palestinës.

Lidhur me këtë çështje sot në Kosovë presidenca që për momentin është në udhëheqje të ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmani është distancuar, shkruan lajmi.net.

Ishte ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi që kishte lëshuar një dekret për vendosjen e ambasadës në shtetin e Izraelit, por në dekretin në fjalë që ka siguruar lajmi.net nuk specifikohej qyteti ku do të vendosej misioni i parë diplomatik i Kosovës në këtë shtet.

Në dekretin e nënshkruar nga Thaçi më 27 tetor 2020, thuhet se “Themelohet misioni diplomatik i Republikës së Kosovës, në nivel të Ambasadës në Shtetin e Izraelit”.

Pika dy e këtij dekreti thotë se “Udhëzohet Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij Dekreti”.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar dje se është hapur edhe zyrtarisht Ambasada e Kosovës në Izraeli me seli në Jerusalem, si pjesë e Marrëveshjes së arritur në Washington në shtator të vitit që shkoi.

Statusi i Jerusalemit është një nga pengesat më të mëdha për arritjen e një marrëveshjeje paqësore midis Izraelit dhe Palestinës.

Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe vendet arabe ishin alarmuar nga vendimi i ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump për ta zhvendosur Ambasadën amerikane në Jeruzalem.

Franca refuzoi vendimin të cilin e kishte quajtur “të njëanshëm” ndërsa bëri thirrje për qetësi në rajon. Britania e bëri të njëjtën. Gjermania tha se statusi i Jerusalemit mund të zgjidhet vetëm në bazë të një zgjidhjeje midis dy shteteve.

Vendimi i Trump la prapa paralajmërimet nga e gjithë bota se ky akt do të rrezikonte përkeqësimin e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Statusi i Jerusalemit është shtëpia e vendeve të shenjta për besimet myslimane, hebraike dhe të krishtera. Palestinezët pretendojnë Jerualemin Lindor për kryeqytet, ndërsa Izraeli e konsideron Jerusalemin kryeqytetin e tij të përjetshëm dhe të pandashëm, që daton nga antikiteti.

Duke ngritur ambasadën e saj në Jerusalem, duke ndjekur shembullin e SHBA-së dhe Guatemalës, Kosova është bërë një nga tri vendet e vetme me ambasada në këtë qytet, pas SHBA-së dhe Guatemalës. Kosova është vendi i parë evropian që ndërmerr këtë hap, që ka edhe mbështetjen e plotë të administratës së re të Joe Biden.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme