Dekretimi i Kryeprokurorit të Shtetit, pret nënshkrimin e presidentes

Prishtinë | 04 Qer 2022 | 16:04 | Nga Ekonomia Online

Po bëhen dy muaj prej kur Këshilli Prokurorial i Kosovës ka propozuar për Kryeprokuror të Shtetit, kandidatin Blerim Isufaj.

Nga atëherë, Presidentja Vjosa Osmani nuk ka vendosur për dekretimin ose jo të tij, e kjo s’dihet se kur do të ndodhë. Megjithëkëtë, monitorues të procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit thonë se më e rëndësishme se koha është dekretimi i një kandidati profesionistë e me integritet.

“Shkon Lumezi e vjen Elezi”. Kjo fjali është përdorur mjaftë shumë viteve të fundit nga akter të partisë në pushtet, kur flitej për korrupsionin e krimin e organizuar dhe nevojën për luftimi më efikas të tyre.

Me përfundimin e mandatit, ish-kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, shkoi. Nga 21 prilli postin e kryeprokurorit të shtetit po e ushtron Besim Kelmendi. Shumë afër emërimit Kryeprokuror i Shtetit është Blerim Isufaj, i propozuar më 6 prill nga Këshilli Prokurorial.

Përkundër propozimit, që nga kjo datë, presidentja Vjosa Omani nuk ka vendosur për këtë propozim.

Radio Kosova ka pyetur Zyrën e Presidentes se kur pritet që e para e vendit të merr vendim për dekretimin ose jo të Isufaj në krye të Prokurorisë së Shtetit.

Një përgjigje për këtë ka munguar, përkundër insistimit disa ditor. Se kur mund të vendoset për kryeprokurorin e ri nuk e dinë as në KPK.

“Lidhur me vonesën e dekretimit të kandidatit të përzgjedhur nga KPK-ja për Kryeprokuror të Shtetit, ju lutem që për informata t’i drejtoheni Zyrës së Presidentes”, kanë thënë në një përgjigje me shkrim nga KPK.

Gëzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi pohon se nuk mund të thuhet që presidentja është vonuar me vendimmarrjen për Isufajn.

“Në aspektin kushtetues dhe ligjor nuk ka ndonjë afat të caktuar se kur presidentja e ka afatin e fundit për të vendosur përkitazi me propozimin e KPK-së për Kryeprokurorin e Shtetit. Por, kuptohet se përgjithësisht presidentja duhet të vendos brenda një afati të arsyeshëm. Deri më tani, nuk mund të thuhet se presidentja e ka tejkaluar një afat të arsyeshëm”, tha ai.

Përkundër kalimit të kohës, Shala thotë se e rëndësishme për Kosovën është që të këtë një kryeprokuror fuqi plotë e me integritet.

“Në rastin konkret procesi ka qenë jashtëzakonisht i kontestueshëm. Organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombatar kanë gjetur defekte të mëdha në këtë proces. Për vërtetimin e tyre duhet të kujdeset presidentja, në mënyrë që mos t’a kemi kryeprokurorin e ri të shtetit, të dalë nga një proces i kontestuar” tha Shala.

Për përzgjedhjen e kandidatit për kryeprokuror të shtetit në vazhdimësi kanë dhënë kritika monitorues të këtij procesi nga shoqëria civile dhe faktori ndërkombëtar. Këto janë mohuar nga Këshilli Prokurorial. Përveç Isufajt në garë për kryeprokuror të shtetit kanë qenë edhe Shqipdon Fazliu, Kujtim Munishi, Armend Hamiti e Lulzim Sylejmani.

Të ngjashme