Dekretohen dhe betohen 37 gjyqtarë të rinj të Republikës së Kosovës

Prishtinë | 21 Jan 2019 | 13:02 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka dekretuar 37 gjyqtarë të rinj të Republikës së Kosovës.

Në një ceremoni solemne para presidentit Thaçi, gjyqtarët e rinj, shtatë prej të cilëve vijnë nga komuniteti serb, janë betuar se gjatë kryerjes së detyrës do t’i qëndrojnë besnikë Republikës së Kosovës, Kushtetutës, ligjeve në fuqi dhe do të respektojnë rregullat e etikës profesionale, si dhe do t’i kryejnë me besnikëri, në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të paanshme detyrat dhe funksionet që u janë besuar.

“Sot është ditë e veçantë për Republikën e Kosovës, sepse sistemit gjyqësor i bashkohen edhe tridhjetë e shtatë gjyqtarë të rinj. Kosova në vazhdimësi ka bërë dhe po bën reforma në sistemin gjyqësor, me të vetmin qëllim që sistemi gjyqësor të funksionojë sa më mirë, që të kemi sundim të mirëfilltë të ligjit në shtetin tonë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se në vitin e kaluar është bërë një punë e madhe nga institucionet përgjegjëse në hartimin, miratimin dhe shpalljen e ligjeve të rëndësishme, gjë që e kanë avancuar edhe më tej sistemin gjyqësor.

“Shteti i Kosovës është ndërtuar mbi parimet kushtetuese, të gjithëpërfshirjes, të barazisë dhe të lirisë së secilit individ që të realizojë vetveten dhe të kërkojë lumturinë e tij/saj pa iu cenuar asnjëherë e drejta që të jetë pjesë e shoqërisë kosovare. Republika e Kosovës ka miratuar masa adekuate për të promovuar një barazi të plotë dhe efektive ndërmjet pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore. Edhe sot dekretimi dhe betimi i këtyre gjyqtarëve, pasqyron plotësisht natyrën shumetnike të Republikës së Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

I pari i vendit ka shtuar se gjyqtarët kanë rol të madh në jetën e qytetarëve, në realizimin e të drejtave të tyre dhe në sigurinë e qasjes së barabartë në drejtësi, pa marrë parasysh dallimin e tyre gjinor, racor, fetar e kombëtar.

Në supet e gjyqtarëve është një përgjegjësi e madhe, ka theksuar presidenti Thaçi, të cilën ka besim të plotë se do të dinë ta mbajnë dhe qytetarët e vendit tonë do ta ndjejnë veten të sigurt dhe të barabartë para ligjit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme